Uidhers: Procesi të përfundojë në mënyrë të rregullt
Ambasadori amerikan u ka bërë thirrje forcave politike në vend që të presin rezultatin
TIRANË - Kur po mbushet java dhe nuk ka ende një rezultat përfundimtar për zgjedhjet e 28 qershorit, ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, gjatë ceremonisë për 223-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u ka bërë thirrje politikanëve që të përfundojnë në mënyrë të rregullt dhe jo partiake numërimin e votave. "Shqipëria është tashmë në fazën përfundimtare të zgjedhjeve të rëndësishme parlamentare, numërimit zyrtar të votave dhe shpalljes së rezultateve përfundimtare. Unë u bëj thirrje drejtuesve politikë shqiptarë që të mbajnë mend fjalët e senatorit McCain, ndërsa siç edhe e pres, ky proces të përfundojë në një mënyrë të rregullt, jo partiake dhe profesionale. Pavarësisht se kush e fiton këtë garë, inkurajoj që të gjithë aktorët politikë në vend të tregojnë vullnet të mirë, që të ndërmarrin përpjekje të sinqerta, që dhe ju të gjeni kompromiset e domosdoshme për të kapërcyer dallimet tuaja. Të motivoheni nga dëshira për t'u lënë fëmijëve dhe nipërve tuaj një Shqipëri më të mirë, më të fortë se ajo që trashëgohet,"- theksoi ambasadori Uidhers në fjalën e tij. Gjatë ceremonisë së djeshme morën pjesë edhe Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i opozitës, Edi Rama, por që në asnjë moment nuk kanë pasur kontakt, qoftë dhe formal, mes njëri-tjetrit. Gjatë festës ka rënë në sy edhe ftohtësia mes Presidentit të Republikës, Bamir Topi, me Kryeministrin Sali Berisha dhe nënkryetaren e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, të cilët nuk kanë pasur asnjë komunikim me njëri-tjetrin deri në momentin ku ambasadori Uidhers është afruar me ta për të ndarë trokitjen e gotave.