Ujë me “pikatore” në Peshkopi/ Banorët ankohen; Ujësjellësi justifikohet: Kanë rënë prurjet, të presim shirat e vjeshtës

Ndonëse zona e Dibrës është plot me burime ujore për shkak se rrethohet nga malet, qytetarët e Peshkopisë po përballen me mungesën e ujit të pijshëm gjatë këtyre ditëve të nxehta gushti.
Banorët ankohen se të paktën në dy javët e fundit, uji i pijshëm shkon në çezma nga 20 minuta deri maksimumi një orë në ditë.
Ata thonë se kjo situatë nuk ka ndodhur ndonjëherë, ndërsa me investimin e ri që i është bërë ujësjellësit, jo më larg se dy vite më parë, do duhej që banorët të kishin ujë 24 orë.
1- Na duhet të presim deri në 48 orë që të mbushin ujë për ta patur për pirje në banesat e tyre.
2-Aktualisht kemi vetëm 20 minuta ujë në ditë, por edhe atëherë vjen i ndotur.
3-Ky është problem i përsëritur, kemi bërë investime thonë, por kot, ç’na duhen ne jemi pa ujë.
I kontaktuar nga Vizion Plus drejtori i Drejtorisë Rajonale të Ujësjellësit për Qarkun Dibër, Marjo Bakalli, tha se shkak i orarit të kufizuar të furnizimit me ujë është rënia e prurjeve në burim. Sipas tij, ekipet po verifikojnë edhe nëse ka problematika të tjera rrjeti që mund të kenë sjellë mungesën e ujit.
Peshkopia e merr ujin nga bjeshkët e Gramës e malin e Korabit dhe investimi i ri besohej se do të kishte parashikuar edhe zgjidhjen e furnizimit në rast të uljes së prurjeve. Por mesa duket, përgjigjja e vetme për dibranët e mbetur pa ujë është të presin shirat e vjeshtës.