Uji i pijshëm, Berisha kryqëzohet nga fshatarët
Korçë - Kryeministri Sali Berisha nuk e ka mbyllur mirë turin e tij në disa fshatra të Korçës, nën sloganin “Shqipëria po ndryshon”. Banorët e fshatit Poncarë të Devollit, i janë ankuar dje kryeministrit Berisha për mungesën e ujit të pijshëm dhe mosndërtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza. Kërkesa e befasishme e drejtuar në emër të banorëve të zonës nga kryeplaku i fshatit Poncarë, e ka bërë të ndihet në pozicion të vështirë kreun e ekzekutivit, duke mos ditur si të reagojë, ndërsa ka mundur vetëm të premtojë për të qetësuar banorët se do të plotësojë kërkesat e tyre. Banorët e këtij fshati, pikërisht përmes Kryeplakut të tyre, kanë kërkuar vëmendjen e qeverisë, pasi nuk është investuar asnjë lek për ujin e pijshëm që mungon dhe kanalizimet e ujërave të zeza që kanë prishur ambientin e këtij fshati disa metra larg kufirit me Greqinë, që sipas banorëve të këtij fshati, janë ndërtuar rreth 100 shtëpi të reja me mundin e emigracionit. Duke mos u dhënë asnjë përgjigje konkrete, kreu i ekzekutivit është larguar duke e përfunduar vizitën e tij me inaugurimin e disa shkollave si në fshatin Bllacë, Pirg, Podgorie, Tren, investimeve në infrastrukturë në qytetin e Bilishtit, fshatit Sul etj., si dhe ndërtimi i një frigoriferi të madh në fshatin Bulgarec për fruta-perime nga investitorë privatë.
Balta e Agollit
Kryeministri Sali Berisha i është referuar pikërisht shkrimtarit të njohur, Dritëro Agolli, teksa ka folur për Devollin, gjatë vizitës së zhvilluar në fshatrat e Korçës. “Kisha lexuar poemën e Agollit për Devollin, dhe më kishin bërë përshtypje vargjet e tij për baltën. Unë sot e kuptoj këtë dhe vij këtu duke bërë një premtim, se do ta nxjerr Devollin nga balta. Devolli do të jetë i gjithi i asfaltuar, ashtu si Korça, Pogradeci e gjithë Shqipëria”,- ka pohuar ndër të tjera Berisha. Gjatë takimeve të zhvilluara në qarkun juglindor të vendit, kreu i ekzekutivit ka premtuar për më shumë investime. Sa i përket sektorit të bujqësisë, ai ka shtuar se ka qenë një nga prioritetet e kësaj qeverie. Ndërsa ka qenë larg fjalorit të përditshëm lidhur me akuzat e tij ndaj opozitës, duke preferuar më së shumti që bashkë më deputetët e zonës, të zhvillojë takime paraelektorale për të testuar situatën nëse është në favor të partisë së tij.