E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uji, sërish ndërprerje. Specialistët: Heqja e licencës së CEZ, me pasoja të rënda

Një pjesë e qyteteve të vendit vijojnë të mos furnizohen me ujë të pijshëm. Në Kuçovë dhe fshatrat e saj CEZ mban ende të stakuar energjinë elektrike në nënstacionet mekanike, ndërsa në Patos dhe Pishporo janë dëmtuar pompat e ujit.

Sipas drejtuesve të ujësjellësit të Kuçovës, ndërmarrja i ka paguar detyrimet ndaj CEZ që prej 2007 e në vijim, por kanë mbetur ende të pashlyera vetëm kamatëvonesat, raporton Vizion Plus.

Për këtë arsye CEZ ka ndërprerë energjinë elektrike duke detyruar banorët të mbushin ujë në një çezme në periferi të qytetit, e vetmja që furnizohej me energji. Ndërkohë në qytete të tjera furnizimi me ujë është rikthyer sipas orareve të mëparshme.

Ndërkohe, mijëra banorë të tre komunave Dermenas, Qendër dhe Topojë në Fier nuk kanë ujë të pijshëm si pasojë e dëmtimit të pompave në fshatin Poro të komunës Levan. Drejtuesit e ujësjellësit kanë depozituar një padi penale për CEZ, duke e akuzuar se ka dëmtuar rrjetin, pas stakimit të menjëhershëm të energjisë.

Sipas kompanisë CEZ, energjia elektrike është ndërprerë në ujësjellesit e 13 bashkive, ndërsa në katër të tjera është rilidhur nga policia.

Situata me kompaninë CEZ

Nisja e procedurave për heqjen e licencës së kompanisë CEZ konsiderohet nga ekspertët e fushës si një nisme me pasoja në sistemin energjetik të vendit.

Pajtim Bello, ish zv/ministër i Energjetikës, shprehet se menaxhimi i dobët që i është bërë kompanisë, nuk është vetëm për faj të saj por në këtë pjesë ka përgjegjësi edhe qeveria. Deri tani kompania e shpërndarjes ka deklaruar se borxhet që shteti shqiptar i ka asaj, përveç ujësjellësve kapin shifrën e 23 miliard lekëve. Gjatë një deklarate për shtyp, CEZ është shprehur se ka bërë me dije edhe qeverinë shqiptare me anë të një letre lidhur me debinë prej 5.4 miliard lekësh që i kanë kompanitë e ujësjellësit, dhe se i ka ofruar edhe një skemë shlyerje, që kjo shumë të zbriste nga borxhi që kompania i ka korporatës elektroenergjetike, por kjo nuk është pranuar. Nga ana tjetër të pyetur lidhur me situatën e krijuar në sistem, KESH ka bërë përgjegjëse kompaninë CEZ për përkeqësimin e gjendjes financiare të saj, duke u shprehur se borxhi total i CEZ-it shkon 208 milion euro, ndërkohë që si pasojë e prodhimit të shumtë të energjisë elektrike për të përmbushur nevojat e vendit, ka rënë mjaft rezerva hidrike në kaskadën e Drinit. Aktualisht liqeni i Fierzës ka arritur 296 metra, ndërkohë që prurjet në hidrocentrale janë të ulëta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›