Ukraina: BE të vendosë sanksione pa pritur sulmin e mundshëm të Rusisë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se Bashkimi Evropian duhet të zbatojë sanksione pa pritur sulmet e mundshme të Rusisë ndaj territorit të tyre.
Zelensky bëri deklarata për gazetarët pas Samitit të Partneritetit Lindor të BE-së që mbahet në Bruksel.
Ai vuri në dukje se Ukraina është e gatshme të hyjë në negociata me Rusinë për të ulur tensionet por që është vërejtur se presidenti i Rusisë Vladimir Putin nuk ka qenë i gatshëm deri më tani për tu ulur në tryezë.
“Për ne është e rëndësishme që sanksionet të zbatohen para konfliktit dhe jo pas tij. Sepse zbatimi i sanksioneve pas konfliktit i bën të pakuptueshme ato në thelb”, tha Zelensky.
“Kemi një luftë që vazhdon prej 8 vitesh. Ne e kuptojmë se sanksionet do të bëhen një mekanizëm i mundshëm parandalues vetëm nëse zbatohen përpara një konflikti të armatosur”, tha presidenti ukrainas.
Zyrtarët e BE-së që nga muaji i kaluar shpesh herë shprehin shqetësimin për intensifikim ushtarak në mënyrë të paparë të Rusisë në afërsi të kufirit me Ukrainën dhe se do të ketë pasoja serioze nëse ajo sulmon sërish Ukrainën.
I ndodhur në Bruksel për Samitin e Partneritetit Lindor të BE-së, Zelensky nesër do të takohet me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg./AP