Ukraina: Beteja për Bakhmut po stabilizohet

Beteja për Bakhmutin, qytetin ukrainas, të cilin Rusia ka kaluar muaj duke u përpjekur për ta kapur, po “stabilizohet”, thotë komandanti i përgjithshëm i Ukrainës, Valerii Zaluzhnyi.
Ai tha se “përpjekjet e jashtëzakonshme” të trupave ukrainase po frenonin Rusinë.
Oleksandr Syrsky, komandanti i forcave tokësore të vendit, tha se trupat ruse ishin “rraskapitur” pranë Bakhmut.
Syrsky shtoi se ndërsa Rusia “nuk ka hequr dorë nga shpresa për të marrë Bakhmutin me çdo kusht, pavarësisht humbjeve në trupa ushtarake dhe pajisje, ato po humbasin fuqi të konsiderueshme”.
“Shumë shpejt ne do të përfitojmë nga kjo mundësi, siç bëmë pranë Kievit, Kharkivit, Balakliya dhe Kupiansk,” tha ai, duke iu referuar kundërsulmimeve të suksesshme të Ukrainës vitin e kaluar.
Në fillim të këtij muaji, zyrtarët perëndimorë vlerësuan se midis 20,000 dhe 30,000 trupa ruse ishin vrarë ose plagosur në Bakhmut që nga vera e kaluar, raporton BBC.
Rreth 70,000 njerëz jetonin në Bakhmut para pushtimit, por vetëm disa mijëra kanë mbetur.
Kapja e tij do ta afronte Rusinë pak më afër kontrollit të të gjithë rajonit të Donetsk, një nga katër rajonet në Ukrainën lindore dhe jugore të aneksuar ilegalisht nga Rusia shtatorin e kaluar.
/rtsh.al/