E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulen çmimet e ushqimeve në Greqi, qeveria bën marrëveshje me furnitorët dhe marketet për të lehtësuar qytetarët

Një paketë lehtësuese për konsumatorët grekë hyn në fuqi nga kjo e hënë, me ulje çmimesh për më shumë se 1600 produkteve bazë, përmes një marrëveshjeje mes qeverisë, furnitorëve dhe supermarketeve.

Nisma kombëtare synon të frenojë kostot e shportës dhe të lehtësojë presionin mbi familjet, në një kohë kur shtrenjtimi i produkteve ushqimore mbetet një nga shqetësimet kryesore për qytetarët grekë.

Sipas mediave greke, ulja mesatare e çmimeve është rreth 7 për qind, ndërsa për  disa produkte, zbritja shkon deri në 30 për qind.

Lista përfshin ushqimet bazë, deri te detergjentët, produktet e higjienës personale, dhe artikujt shkollorë.

Masat janë parashikuar  të zgjasin nga dy  deri në katër muaj.

Qeveria greke e paraqet këtë plan si një përpjekje për të frenuar shtrenjtimin dhe për t’u dhënë familjeve më shumë hapësirë në buxhetin e tyre.

Por mbetet për t’u parë se sa do të reflektohen këto ulje në faturën përfundimtare të konsumatorëve dhe nëse do të kenë një ndikim të qëndrueshëm në koston e shportës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›