Ulet çmimi i naftës në bursa, 92 dollarë një fuçi naftë, por në Shqipëri nuk ndryshon

Javën e fundit, çmimet e naftës në bursat ndërkombëtare kanë shënuar rënie të ndjeshme duke arritur nivelet e paraluftës.
Këtë të mërkurë bursa e Londrës është hapur me çmimin 92 dollarë për fuçi, nga 98 dollarë që ishte një javë më parë, ndërsa në bursën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 1 fuçi kushton 86 dollarë.
Edhe treguesi referencë i naftës së përpunuar, Platts, të cilin e importojnë kompanitë në Shqipëri ka zbritur në 900 dollarë/ton, nga 930 dollarë për ton që ishte një javë më parë.
Por pavarësisht rënies së ndjeshme të çmimit të naftës, në Shqipëri Bordi i Transparencës ende nuk është mbledhur për të reflektuar ndryshimet në tregjet ndërkombëtare.
Që prej 11 gushtit, Bordi i Transparencës ka vendosur që të mbajë të pandryshuara çmimet për naftën dhe benzinës.
1 litër naftë tregtohet me pakicë me 221 lekë, ndërsa benzina me 202 lekë.
Operatorët e tregut ndërkohë thonë se nëse çmimet do t’i vendosnin vetë ndryshimi do të ishte më i shpejtë pasi blerjet nuk do të ishin me bazë ditore, por afatgjata.
/rtsh.al/