“Ulim taksat dhe çmimin e energjisë”, Berisha: Programi i PD e bën Shqipërinë madhështore

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shfrytëzoi një takim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës dhe Shoqatat e Biznesit për të diskutuar me ta programin elektoral të Aleancës “Shqipëria Madhështore”.
Berisha shpjegoi se në themel të këtij programi është ekonomia.
“Pikërisht për këtë arsye ne kemi shpallur ‘Made in Albania’, prodhimin kombëtar si krenari kombëtare. U garantoj ju dhe të gjithë sipërmarrësit se do bëjmë gjithçka që ky vend të prodhojë sa më shumë, sa më me cilësi dhe sa më me konkurrencë”, tha Berisha.
Në funksion të këtij qëllimi, Berisha premtoi se qeveria e Partisë Demokratike do të ulë taksat. Kryetari i PD-së deklaroi se taksa e shitjes së pronës do të jetë 2% nga 15% që është sot, çmimi i energjisë elektrike do të jetë 6 lekë për kilovat/orë dhe nafta do të ketë të njëjtin çmim si në Kosovë.
“Ne jemi për taksën 10 përqind, taksa e shekujve dhe mijëvjeçarëve e njerëzimit. TVSH-ja nuk ka më tabu. Do zbritet në 15 përqind me qëllim për të zbritur edhe më poshtë”, tha kreu i PD-së.
Kryetari i PD-së u premtoi bizneseve stabilitet ligjor. Do të miratohet një kod fiskal që nuk do të ndryshojë më.
“Kodi do miratohet në fillim të 4-vjeçarit, dhe ai kod do merret apriori e drejtë e dhënë për biznesmenin dhe nuk mund të ndryshojë në disfavor të tij”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, Berisha premtoi edhe siguri juridike, e cila sipas tij vjen me zhbërjen e Reformës në Drejtësi dhe realizimin e një reforme të re.
“Pse e them këtë? Sot për çështjet civile duhet të presësh 10 vjet apo 15 vjet dhe kjo nuk po vjen duke u pakësuar. Ishin 130 mijë dosje, tani janë 150 mijë dosje. Dhe po të pyesësh, thonë reforma. Çfarë reforme? Reformë që u mohon shqiptarëve të drejtën e procesit ligjor. E vërteta është se ka një klimë biznesi të pakrahasueshme sepse nuk pret kush 10 vite. Sepse një biznesmen falimenton për 10 vite”, tha Berisha.
Berisha ironizoi edhe premtimin e kryeministrit Edi Rama që në mandatin e katërt rroga minimale do të jetë 500 euro.
Sipas Berishës programi ekonomik i PD është programi që do të ndërtojë “Shqipërinë Madhështore”.