Ulsi Manja: Pa votuesit e djathtë, do ta kishim të vështirë fitoren në Kurbin

Drejtuesi politik i Qarku Kurbin, Ulsi Manja, i’a dedikon fitoren në zgjedhje për kryebashkiaken, Majlinda Cara, jo vetëm anëtarëve dhe simpatizantëve të PS, por edhe votuesve të djathtë. Sipas tij, pa mbështetjen edhe të votuesve të djathtë, fitorja e Carës në këtë bashki do të ishte shumë e vështirë.
”Kurbini foli qartë, duke na dhënë një leksion demokracie dhe qytetarie, duke zgjedhur Majlinda Carën. Nuk mund të fitohej kjo bashki pa mbështetjen e votuesve të djathtë. Ajo do të jetë në shërbim të të gjithëve. Votuesit besuan te Majlinda dhe kryeministri, Edi Rama, të cilët do të bëjnë punë edhe më të mira për Kurbinin. Miloti do të ketë Pazarin e Ri, Laçi turizmin e vendeve të shenjta, Mamurrasi do ketë ujësjellësin. Falenderoj të gjitha strukturat e PS në Kurbin, për punën e e tyre të jashtëzakonshme. “Qershia mbi tortë” ishte fitorja e Majlindës në Kurbin. Falenderoj votuesit edhe në Mirditë. Nuk ia dolëm, por do respektojmë vullnetin e zgjedhësve. Nuk do e lëmë pas dore Mirditën, pavarësisht se humbëm”- theksoi Manja.
Ndërsa kryebashkiakja e re, Cara, në fjalën e saj theksoi se edhe bashkia e Kurbinit, i’u bashkua trenit të fitores së PS.
“Jam mirënjohëse pa fund që ma besuan këtë bashki edhe për një mandat tjetër. Rama më ka dhënë mbështetje për të gjithë mandatin, si dhe drejtuesin politik, Ulsi Manja, si dhe të gjithë ekipit të PS, Kurbin, që tregoi se do të eci vetëm përpara për të mbaruar punët e mira që kemi nisur, si dhe do shkojnë më përpara. Do jem në krye të punësve të Kurbinit, siç bëra edhe në mandatin e parë.”- deklaroi Cara.
/rtsh.al/