Underground

Foto e afishes se ekspozites "Underground"
Zef Paci
Ky cikël fotografish lindi gjatë një udhëtimi turistik të autores, diku nëpër Europë, atje ku të krijohet mundësia të shohësh peizazhe e arkitektura nga më të ndryshmet. Nga kjo përvojë intensive, Sara Çapaliku ka lënë mënjanë gjithçka prej imazhit që i ofrohet sheshit e krenarisht publikut dhe ka zbritur poshtë për të eksploruar e fiksuar imazhin underground.
Më kujtohet se kam pas lexuar në një artikull të revistës Freeze rreth dy vjet më parë se si një personalitet i kulturës angleze kishte thënë se kalimi nga teksti te footnotes ndërsa lexon është si zbritja poshtë për të çelur derën që troket ndërsa je sipër duke bërë dashuri. Pikërisht si për të mohuar këtë qëndrim duket se është ndërtuar ekspozita në fjalë. E them këtë në kuptimin se kjo vajzë hedh pikërisht vështrimin e saj tek footnotes. Arsyet e kësaj zgjedhjeje mund të jenë të ndryshme. Duke pasur parasysh moshën e saj të re mund të jetë edhe një reagim kundrejt një realiteti të sipërm, tejet të pasur të ngarkuar e të mbipopulluar, duke gjetur një frymë intimiteti poshtë. Ajo ndoshta e bën këtë duke besuar në rëndësinë e këtij elementi si shumë të vërtetë e aspak sipërfaqësor. E nëpërmjet këtij vështrimi të saj në këtë drejtim (footnotes) ne mund të kuptojmë më thellë edhe realitetin e sipërm (tekstin) në rastin tonë atë që ndodhet sipër shkallëve që të çojnë në tualetet. Kjo përqasje e kjo vëmendje them se është qëllimi i kësaj serie fotografike.
Një vështrim në underground-in si vend urgjence por më shumë si vend ndaljeje, shfrimi, rrëfimi gjatë një udhëtimi. Sidoqoftë është një ndër vendet e pakta në ditët e sodit që edhe kur je në udhëtim, je vetëm e, mund të gëzosh një intimitet të plotë. Është një vend ku mund të marrësh veten, ti hedhësh një sy, të rregullohesh e të zbukurohesh, të mendohesh i qetë (deri diku). Shpesh ato janë quajtur dhoma prehjeje (restroom). Po pikërisht ky është edhe momenti i ardhjes së ideve dhe zbulesave. Është momenti i gjetjes së figuracioneve ambigue nga një shikim i paparagjykimtë. Gjithashtu duket se është një vend interesant pse ndodh jo rrallë që njerëz të cilët gëzojnë intimitetin e këtyre tualeteve lenë mesazhet e tyre të llojeve të ndryshme. Aty gjejmë kode komunikuese, lajmërime, shenja e transkriptime të shfrimeve, të ndjenjave e pasioneve, që zakonisht rrinë të ndrydhura nga arsyeja, shfrime që mbesin anonime, por që rrëfejnë një dëshirë të madhe për tu hapur si në dhomëza rrëfimi shpesh edhe pa marrë përgjigjen e asaj që ke shkruar…