Uniteti i shqiptarëve të Kosovës Lindore duhet të jetë institucional dhe veprues
Duke e ditur faktin se pa shkollë, akademi e universitete, nuk ka arsim të mirëfilltë; pa xhamia dhe institucione të tjera religjioze, nuk ka jetë të mirëfilltë fetare; etj. Gjithashtu, pa institucione të përbashkëta kombëtare të shqiptarëve të Kosovës Lindore, nuk ka dhe nuk mund të ketë unitet dhe veprim efikas, të suksesshëm dhe unik të tyre.
Pra, ky unitet i tyre duhet të ketë institucionet përkatëse, të cilat formohen sipas parimeve dhe garës demokratike, pra votës së lirë. Roli i partive politike është ta organizojnë atë garë dhe proporcionalisht suksesit në të, fitojnë “hisen” në qeverisjen e tyre, apo edhe duke ndërtuar mazhorancë. Gjithsesi, duhet formuar ekzekutivi, stafi profesional dhe duhet siguruar buxheti për funksionim të tij.
Të kuptohemi se, nevojitet një unitet i faktorit politik të shqiptarëve për çështjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me ata, por jo domosdoshmërisht për çdo imtësi. Sepse, kjo do të çonte në monizëm, pra në sistemin politik njëpartiak, nga i cili dolëm (shyqyr Zotit) në vitet e 90-ta. Edhe Shqipëria u çlirua nga enverizmi dhe komunizmi më i egër në Europë dhe u mundësua pluralizmi politik. Pra, u mundësua që në tregun politik të ketë shumësi idesh dhe opsionesh, të cilat do të garonin për ndërtimin e shoqërisë dhe institucioneve, duke marrë "bekimin" nga sovrani-votuesi, me shpalosje të programeve dhe ideve në fushatë parazgjedhore. Dhe kjo është demokracia.
Nostalgjikët komunist edhe sot e kësaj dite përloten kur me mallëngjim përkujtojnë "unitetin" gjatë kohës së "xhaxhit" Enver, atëherë kur të gjithë brohorisnin njëzëri duke u përgjëruar dhe ngritur në këmbë dhe me duartrokitje frenetike brohorisnin në kor: "parti, Enver, jemi gati kurdoherë..." etj. etj. Se çka doli dhe çka pasoi nga ai "unitet", mjerisht, e kemi të qartë të gjithë. Pra, doli një Shqipëri e sfilitur dhe e katandisur në varfëri ekstreme, si dhe në diktaturë të shfrenuar e mjerim. Pra, doli një Shqipëri e shkretëruar dhe e mjeruar si mos më keq. Andaj, jo doemos kërkesat për "unitet" janë të sinqerta, e aq më pak ato duhet domosdoshmërisht të kuptohen si "gjeniale", që e kanë zbuluar "ilaçin" e shpëtimit të shqiptarëve dhe të shqiptarizmës në përgjithësi, si dhe pozitën e shqiptarëve të Kosovës Lindore në veçanti!
Në anën tjetër, nuk duhet rënë në lajthitje që të mendojmë se ne shqiptarët mund të ndërtojmë ardhmëri të sigurt e të lumtur duke mos gjetur konsensus për gjërat më elementare, pra që të përcaktohet dhe miratohet një minimum kërkesash dhe dispozitash që mbështeten nga të gjithë ne. Shqiptarët e Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë partiake, e dimë se janë unanim në mbështetjen e Pavarësisë dhe tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës, si dhe për orientimin e tyre proeuropian dhe proamerikan.
Ndërkaq, shqiptarët e Kosovës Lindore këtë konsensus veprues e kanë arritur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, në organizimin e të cilit kam qenë në radhët e para të tij si Zëdhënës i Referendumit dhe si Kryetar i Qendrës për Informim, duke dhënë kontributin në informimin e botës demokratike për mbajtjen dhe qëllimet e tij, me anë të informimit të agjencive kryesore informative në botë: CNN, Rojters etj. si dhe agjencitë kombëtare. Dhe ne shqiptarët e atjeshëm arritëm deklarimin unanim të vullnetit politik për “Autonomi politike e territorial”, duke u deklaruar se në rast të prishjes së kufijve në Ballkan, ne jemi “për bashkëngjitje me Kosovën”.
Deklarata Politike e vitit 2006, si dhe Deklarata e miratuar me rastin e 20 vjetorit të Referendumit janë dokumente që janë miratuar me unanimitet.
Ku qëndron problemi i mosekzistimit të unitetit veprues të faktorit politik të shqiptarëve të Kosovës Lindore?
Sipas mendimit tim, arsyeja kryesore e këtij mosuniteti qëndron në parcializimin e interesave partiake të shkaktuara nga pretendimet e egra, joparimore dhe here-here edhe të tërbuara për pushtet, në rend të parë për pushtetin lokal në komunat: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, sidomos të këtyre dy komunave të fundit.
Duke qenë të ndarë shqiptarët e Kosovës Lindore në tri komuna, pra në tre pushtete lokale, për pasojë kemi garën e partive politike për pushtete lokale, duke minuar kështu çdo nismë për organizimin institucional të unitetit të shqiptarëve në nivel të Luginës.
Ky antagonizëm është i ashpër, duke eskaluar shpesh në "motive patriotike" dhe folklorizëm të pafund “patriotik”, për të mos lejuar formimin dhe funksionimin e suksesshëm dhe efektiv të asnjë institucioni të përbashkët të shqiptarëve në Luginë. Antagonizmat e tillë shpesh janë aq trivialë e kontradiktorë, sa që shpesh joshin një pjesë naive, për aq sa trishtojnë me shkurtpamësinë e tyre pjesën intelektuale dhe shtetformuese të kombit shqiptar , si dhe përfaqësuesit e politikës zyrtare e jozyrtare të Kosovës dhe Shqipërisë, por dhe pjesën intelektuale dhe serioze të shqiptarëve të Kosovës Lindore.
Dëshmi eklatante për këtë është rreshtimi i faktorit politik të Kosovës Lindore lidhur me formimin e Këshillit Kombëtar (nacional) të Shqiptarëve, për të cilin u votua më 6.06.2010 me shumicë të qartë prej rreth 57% të votave. Edhepse KNSH u votua qartësisht nga shumica, sulmet nga më të egrat vinin nga pushteti i Serbisë dhe Trupi Koordinues në krye me tanimë ish ministrin Markoviq. Intrigat dhe përpjekjet nga më të egrat dhe më antishqiptaret, si dhe fyerjet vinin nga ky përfaqësues i Qeverisë serbe, që kishte paranojë antishqiptare dhe urrejtje shpirtërore ndaj tyre, duke bërë në vazhdimësi luftë të tërbuar kundër këtij institucioni të vetëm të shqiptarëve të Luginës, duke shprehur haptas antishqiptarizëm të tërbuar!
Por, sado të duket e pabesueshme, megjithatë është e vërtetë e pamohueshme se Markoviq nuk ishte i vetëm në luftën e tij të pakompromis kundër KNSH-së. Atë, mjerisht, e përkrahën dhe e mbështetën edhe disa parti politike shqiptare, të cilat gjithashtu bëjnë luftë të tërbuar kundër këtij institucioni të përbashkët të shqiptarëve të Luginës! Dhe derisa z. Markoviq këtë urrejtje ndaj KNSH-së dhe ndaj unitetit të shqiptarëve e bënë për motive patriotike serbe, partitë politike shqiptare këtë “luftë të shenjtë” të tyre kundër KNSH-së e bëjnë për motive “patriotike” shqiptare.
Derisa Qeveria e Serbisë e pamundëson veprimin unik dhe institucional të shqiptarëve, duke përdorur mjete nga më të ndryshmet: mbështetjen e parcializimit të faktorit politik shqiptar, duke nxitur dhe përkrahur formimin e partive e fraksioneve të reja politike shqiptare, denoncimin e çdo mundësie të veprimit politik unik të shqiptarëve në nivel të Luginës, etj. Pra, Qeveria e Serbisë, në fillim arriti të nxisë përçarje duke i joshur disa “politikanë të mençur” që u pati hyrë vetja në “huj”, se ia “rrihte krahun” Çoviqi dhe zyrtarë të tjerë serbë për t’ua rritur atyre mendjen, por edhe duke i mbështetur dhe përkrahur realisht.
Kështu, të entuziazmuar nga rezultatet spektakulare dhe suksesi i arritur në Preshevë, qeveria serbe, tani me Markoviqin e vazhdoi punën në Bujanoc për të vazhduar aty ku mbeti Çoviqi (në Preshevë): duke deklaruar “solemnisht”, me një vetëbesim të pabesueshëm se do ta len “R. Halimin dhe partinë e tij pa votues…”, duke marshuar triumfalisht në përçarjen e faktorit politik të shqiptarëve në komunën e Bujanocit.
Rezultatet e arritura në përçarjen e shqiptarëve të Bujanocit ishin aq të mëdha, sa që e befasuan edhe vet Markoviqin! Kështu, ai filloi ta ndiej veten si “politikan i madh” dhe “gjenial”, i cili e dinte prej përpara, si “evlia” ose profet, se çka do të ndodhë në spektrin politik të shqiptarëve të Kosovës Lindore, me fokus të veçantë në komunën e Bujanocit.
Pra, antishqiptarizmi serb është duke u realizuar me parullën: përçaj e sundo. Dhe kjo nuk na çuditë fare. Por, ajo çka na duket e pabesueshme dhe e papranueshme është se edhe “patriotët shqiptarë” janë të një mendjeje, duke mos lejuar që shqiptarët e Luginës t’i bëjnë “dy gurë bashkë”.
Partitë politike shqiptare që ishin dhe janë kundër Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Kosovës Lindore, deklarohen se e kanë për "motive patriotike" këtë punë, duke deklaruar se "nuk e pranojnë Serbinë" dhe pallavra dhe deklarime të tjera demagogjike, pa çka se ato janë të involvuara thellë në pushtetin e Serbisë, prej nga marrin rroga dhe shpërblime të tjera, duke qeverisur pushtetin lokal në Preshevë dhe Bujanoc, bile duke përbuzur votën e shumicës shqiptare.
Në komunën e Bujanocit aktualisht kemi koalicione të pabesueshme me forcat më të tërbuara antishqiptare, duke realizuar kështu diferencim ideo-politik dhe diskriminim të kuadrove më të afta shqiptare, në favor të kuadrove serbe të dëshmuara për antishqiptarizëm.
Pra, Kosova Lindore është e mbështjellur në paradokse nga më të pabesueshmet dhe të tmerrshme, duke i kontribuar kështu situatës së pashpresë të shqiptarëve të kësaj pjese të gjeografisë shqiptare, e cila po boshatiset me hapa të shpejtë dhe rrezikon të mbetet tërësisht pa shqiptarë. Komuna e Medvegjës, pothuajse është boshatisur fare nga shqiptarët, por as Bujanoci dhe Presheva nuk janë shumë larg kësaj gjendjeje trishtuese.
Andaj, duhet vetëdijesuar sa më parë për faktin se nëse dëshirojmë veprim unik të shqiptarëve të Kosovës Lindore, doemos duhet kontribuar ndërtimit dhe funksionimit të institucioneve unike të shqiptarëve në nivel të Luginës.
Përndryshe, agonia e tanishme e kollapsit të spektrit politik shqiptarë, i shkaktuar nga fragmentarizimi i tyre në parti të ndryshme politike, të cilat për çdo ditë “ mbijnë” si kërpudhat pas shiut, zor se do t’ia dalim që t’i përgjigjemi sfidave politike që na presin me fillimin e bisedimeve Kosovë-Serbi.
Kështu si jemi të parcializuar, të fragmentarizuar e të përçarë, nuk kemi asnjë shans (as teorike) të përfshihemi në këtë proces, nga i cili do të varet fati historik i të gjithë shqiptarëve të Kosovës Lindore.