E Hënë, 2 Nëntor 2026

Urdhër-arresti ndërkombëtar për ish- diplomatin algjerian, akuzohet për rrëmbimin e një opozitari në Francë

Sistemi i drejtësisë franceze ka lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar për një ish-diplomat algjerian, i akuzuar për rrëmbimin e liderit të opozitës dhe influencuesit në TikTok, Amir Boukhors, i njohur si Amir DZ. Lajmi është konfirmuar nga gazeta “Le Monde”, e cila zbulon se diplomati dyshohet se ka vepruar nën mbulim diplomatik për llogari të shërbimeve sekrete algjeriane.

Urdhër-arresti, i lëshuar më 25 korrik nga një gjyqtar hetues, synon Salaheddine Selloum, një 37-vjeçar, i akuzuar për rrëmbim dhe sekuestrim në lidhje me një “ndërmarrje terroriste” dhe një “shoqatë kriminale terroriste”. Selloum shërbente si “sekretari i parë” i ambasadës algjeriane në Paris, por dyshohet se ishte në fakt një oficer i Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë dhe Dokumentacionit të Jashtëm (DGDSE), shërbimi sekret algjerian.

Avokati i Amir Boukhors, Éric Plouvier, e cilësoi lëshimin e urdhër-arrestit si “një hap të rëndësishëm përpara” për të shmangur pandëshkueshmërinë e agjentëve algjerianë. Ai shtoi se, ndonëse Selloum ndodhet jashtë Francës dhe mund të pretendojë imunitet funksional, do të ishte e rrezikshme të konsiderohet rrëmbimi i kundërshtarëve politikë si detyrë diplomatike.

Boukhors, i cili jeton në Francë që nga viti 2016 dhe ka azil politik, u rrëmbye më 29 prill 2024 dhe u lirua dy ditë më vonë. Ai ka një milion ndjekës në TikTok dhe është një kundërshtar i hapur i regjimit të Presidentit Abdelmadjid Tebboune. Për rrëmbimin e tij, deri tani janë akuzuar shtatë persona, përfshirë një oficer konsullor algjerian. Ky incident ka tensionuar marrëdhëniet mes Francës dhe Algjerisë, të cilat janë përkeqësuar vazhdimisht që nga vera e vitit 2024.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›