Urdhri i Trump për mbylljen, VOA padit mbikëqyrësin USAGM me qëllim që të rinisë punën

Gazetarët e Zërit të Amerikës dhe sindikata e tyre kanë paditur administratën e presidentit Donald Trump, duke kërkuar përmbysjen e vendimit për mbylljen e Agjencisë Amerikane për Mediat Globale, që financon atë media si dhe media të tjera si Radio Europa e Lirë dhe Radio Azia e Lirë.
Të shtunën e shkuar, agjencia, drejtori i saj në detyrë Victor Morales dhe këshilltarja speciale e kësaj agjencie Kari Lake nxorën më shumë se 1300 punonjës në leje administrative dhe ndërprenë financimet për disa shërbime të Zërit të Amerikës.
Sipas padisë që gazetarët e kësaj medieje paraqitën në gjykatën federale të Nju Jorkut, veprime të tilla shkelin Amendamentin e Parë të Kushtetutës si dhe ligjet nën të cilat Kongresi autorizonte dhe financonte Zërin e Amerikës. Ndërprerja e fondeve është pjesë e përpjekjeve të presidentit Donald Trump dhe miliarderit Elon Musk, që drejton Departamentin për Efiçencën Qeveritare, për tkurrjen e qeverisë federale dhe ndërprerjen e harxhimit të parave të taksapaguesve për çështje që nuk janë në përputhje me interesat amerikane. Në padinë e tyre, gazetarët e Zërit të Amerikës argumentojnë se mbyllja e shpejtë e medias inkurajon regjimet autoritare në vende të ndryshme të botës.
“Në shumë pjesë të botës, është zhdukur një burim thelbësor i lajmeve objektive, dhe këtë boshllëk e mbushin media të sponsorizuara dhe që censurohen nga shtetet”, shkruajtën paditësit në padinë e tyre. Zëri i Amerikës, krijuar në kulmin e Luftës së Dytë Botërore me qëllim luftën kundër propagandës naziste, është një transmetues ndërkombëtar, që transmeton në më shumë se 40 gjuhë të ndryshme në internet, radio dhe televizion.
Sipas paditësve, para se të mbylleshin, Zëri i Amerikës, Radio Europa e Lirë dhe Radio Azia e Lirë ndiqeshin nga më shumë se 425 milionë dëgjues në javë.
/rtsh.al/