Urë “Bailey” për lidhjen e 12 fshatrave të Kolonjës

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Me kërkesën e Institucionit të Prefektit të qarkut të Korçës, nga nesër do të nisë ndërtimi i një ure në fshatin Qafzezë të bashkisë Kolonjë.
Prefekti Nertil Jole adresoi shqetësimin e një komuniteti prej 12 fshatrash të bashkisë Kolonjë, të cilët kishin pamundësi kalueshmërie por edhe mungesë alternativash të tjera për qarkullim, pas dëmtimit të urës në fshatin Qafzezë.
Jole tha se, thirrja ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, mori reagim të menjëhershëm dhe shumë shpejt do t’i vihet në ndihmë komunitetit të zonës, duke mobilizuar strukturat përkatëse për ndërtimin e një ure të tipit “Bailey”, deri në një zgjidhje përfundimtare, më të qëndrueshme.
Ditën e sotme, inxhinieri i Batalionit të Xhenios të Ministrisë së Mbrojtjes, së bashku me nënprefektin e Kolonjës Adriatik Brace, sektorin e emergjencave civile të Prefekturës së Korçës, dhe drejtorinë e emergjencave civile të bashkisë Kolonjë, si dhe inxhinierët e ARRSH-së (drejtorisë Qendër-Lindje), ishin në terren pranë urës së fshatit Qafzezë.
Gjatë inspektimit u vendos që në këtë pikë të ndërtohet një urë e tipit “Bailey”. Punimet do të nisin që nesër dhe pritet të përfundojnë në një kohë të shkurtër.
Urat “Bailey” janë ura portative, të parafabrikuara, projektuar për montim të shpejtë nga njësitë inxhinierike ushtarake. Ato u bënë të famshme gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe mbajnë emrin e inxhinierit britanik Donald Bailey. Urat “Bailey” përbëhen nga panele metalike të ndërlidhura dhe mund të mbajnë ngarkesa të rënda. Ato mund të konfigurohen në gjatësi dhe fuqi të ndryshme dhe përdoren ende sot për operacione ushtarake si dhe në raste të ndihmës ndaj fatkeqësive.
1 nga 7/j.p/r.e/