Ushtaraku pretendent për Nobel

Bashkë me disa të tjerë, është një emër i ri i shtuar kësaj liste që trazon vazhdimisht ujërat para se të mësohet fituesi. Për lexuesin shqiptar, emri i tij nuk është i njohur, por është ndoshta një nga shkrimtarët kinezë që konkurron fort në letërsinë bashkëkohore kineze. Për të kuptuar më shumë për të, po botojmë më poshtë një intervistë të tij dhënë gazetares italiane Marilia Piccone.
Mo Yan ishte një ushtarak në karrierë kur vendosi t’i braktiste të gjitha elozhet që kërkonte ushtria për t’iu dedikuar të shkruarit. Përmes librave, vendosi edhe të denonconte probleme të qenësishme.
“Tortura është një formë bashkëpunimi mes të akuzuarit, ekzekutuesit dhe publikut”, thotë ai.
Emri i vërtetë i tij është Guan Moye dhe e ka zgjedhur pseudonimin letrar si një formë “hakmarrjeje” ndaj gjyshes së tij. Mo Yan, ashtu siç ai firmos romanët e tij, do të thotë “ai që nuk do të flasë”. Gjyshja e tij i thoshte gjithnjë të pushonte, sepse ai ishte një fëmijë shumë llafazan që nuk pushonte kurrë. Tashmë është e vështirë të shohësh atë fëmijë në trupin e këtij burri 57 vjeç.
Mo Yan ka lindur në Shandong më 1955-n. Në vend të fjalëve të atij fëmije, dëgjohet zëri që nuk shuhet pas historive të rrëfyera në romanët e tij. Histori që tregojnë për burra që kanë pasur jetë të vështirë, për varfërinë ekstreme dhe punën në kampe, të cilët kanë kaluar përmes revolucioneve dhe luftërave e që kanë pësuar dhunën ekstreme. Ato të Mo Yan janë romanë epikë. Historitë e vogla të personazheve rrokullisen bashkë me historinë e madhe të Kinës, aq sa të vjen të pyesësh se cili është protagonisti i vërtetë: njerëzit apo Kina? Por pyetja është e kotë, sepse janë e njëjta gjë. Përveçse shkrimtar, Mo Yan është edhe skenarist. Filmi i realizuar nga Zhang Yimou ka fituar “Ariun e Artë” në Festivalin e Berlinit. E intervistuam shkrimtarin kinez për Kinën e djeshme dhe të sotmen, për stilin dhe romanët e tij.
E dimë se çfarë do të thotë pseudonimi që keni zgjedhur, por pse nuk keni zgjedhur të firmosni me emrin tuaj të vërtetë?
Kam zgjedhur një pseudonim, sepse shumë shkrimtarë të famshëm janë bërë të tillë me një pseudonim. Mo Yan (nuk dua të flas) përkon edhe me periudhën kur u rrita: Në kohën e Revolucionit Kulturor nëse flitej shumë e thuheshin gjëra të gabuara, diheshin pasojat për ty e për familjen. Një nga gjërat që prindërit më përsërisnin më shpesh ishte të mos flisja, ndaj këtu e mora nxitjen.
Familja juaj ishte një familje fshatare. Pse zgjodhe të hyje në ushtri dhe si arrite më pas te letërsia?
Një nga gjërat qartësisht të dallueshme në Kinë është diferenca e madhe mes qytetit e fshatit. Në fshat jeta është më pak e zhvilluar dhe të rinjtë kërkojnë përherë e më tepër të shkojnë në qytet. Pastaj me të hyrë në ushtri ishte më e lehtë të shkoje në universitet. Përveç faktit që në fshat kishte pak për të ngrënë dhe bënte ftohtë, ushtria ofronte një zgjidhje për këto gjëra. Kisha shumë kohë të lirë dhe fillova të shkruaja. Ishte e natyrshme të merrja këtë rrugë. Sigurisht që kishte kufizime në atë që shkruaje, duhej folur mirë për ushtrinë. Nuk mund të shkruaja atë që nuk mendoja dhe për këtë arsye, më shumë se 10 vjet më parë e lashë ushtrinë për letërsinë.
Romani juaj i parë “Sorgo roso” (Melekuqe) tregon ngjarjet dramatike të pushtimit të Japonisë. Janë ngjarje të përjetuara nga familjarët tuaj?
Disa janë ngjarje të përjetuara nga familjarët e mi, por pjesa më e madhe paraqet një realitet të mëhershëm, atë të fshatarëve të asaj zone.
Çfarë simboli kanë tjetër melekuqet, përveçse të qenët bimë?
Imazhi i melekuqeve është më i gjerë: ai është drithi më i kultivuar në Kinën veriore dhe përfaqëson të gjithë fshatarët kinezë. Kjo bimë ka një vend të madh në zemrat e kinezëve, është si gruri për ju.
Romanët tuaj përmbajnë imazhe të forta dhune dhe torture. Pse keni zgjedhur të shkruani një roman që përmban shumë dhunë?
Këtë roman kam zgjedhur ta shkruaj në një mënyrë të veçantë, një lloj dokumentari që i përshtatet edhe traditës së vendit. Në Kinë, torturat dhe ekzekutimet janë parë gjithnjë si spektakël. Ekziston një formë bashkëpunimi mes të akuzuarit, ekzekutuesit dhe publikut. Kam dashur të jem i fortë në ato që shkruaj, për të parë nëse mund të shkaktoja reagim: si mund të shihet një gjë kaq e tmerrshme si spektakël?
A nuk ishin një lloj paralajmërimi këto ekzekutime?
Shteti përdorte këto forma të gjykimit publik për të trembur njerëzit, por ata kuptonin të kundërtën, i merrnin për spektakël, një mënyrë e të kaluarit të kohës. Mendoj se kjo gjë ka ndodhur kudo. Le të mendojmë për Francën dhe për gijotinën. Ata që shkojnë janë edhe njerëz të mirë. Por përse shkojnë? Të shkruarit është një mënyrë për të reflektuar.
A ka shkrimtarë në letërsinë kineze që në një farë mënyre ju i konsideroni si mësuesit tuaj?
Po, është një shkrimtar kinez që e konsideroj si mësuesin tim: Pu Song Ling, i epokës Ching, pak a shumë rreth 200 vjet më parë. Ai shkruante tregime për dhelprat dhe fantazmat. E adhuroj për historitë që tregonte, sepse i kam dëgjuar edhe më parë nga familjarët e mi. Ai rimerr traditën gojore të popullit.
Në kohën e formimit tuaj, hynin në Kinë vepra të shkrimtarëve të huaj?
Nuk kam pasur mundësi të lexoj shumë për formimin tim kulturor. Ishin vitet e Revolucionit Kulturor. Në vitet ’80 fillova të lexoja autorë të huaj. Më dukej sikur isha një i uritur që nuk haja prej shekujsh. Kishim shumë përkthime. Mes italianëve i preferuari im ishte Italo Kalvino, por admiroj edhe Umberto Eco-n.
Romanët tuaj janë të ambientuar në një kohë të shkuar. Mendoni të shkruani apo keni shkruar një roman për kohët tona?
I fundit është një histori e kohëve tona. Është historia e një pronari toke i vrarë në vitet ’50. Ishte i pafajshëm dhe në Kinë besohet në rimishërimin dhe ky njeri u mishërua shumë herë si derr, si dem e së fundmi edhe si majmun, dhe tregon historinë e tij, parë me sytë e një kafshe. Është një libër më i lehtë se të mëparshmit.