Ushtria shqiptare: Avionë luftarakë dhe raketa me rreze të largët veprimi për FA. Plani afatgjatë synon edhe një rrjet kompjuterik sekret

Ushtria shqiptare do të pajiset me raketa me rreze të largët dhe avionë luftarakë. Kjo del në planin Afatgjatë të Zhvillimit 2024-2033 të Forcave të Armatosura të hedhur për konsultim publik. Aty synohet që brenda pak vitesh, Shqipëria të ketë një ushtri dhe sistem mbrojtje të ngjashëm me atë të NATO-s dhe që i përgjigjet çdo sfide që mund të paraqitet për sigurinë kombëtare të vendit tone, përfshirë një agresion të jashtëm apo sulm kibernetik.
“Nuk përjashtohet mundësia e një sulmi konvencional kundër vendeve aleate në NATO-s apo që kjo luftë të ketë efekt domino edhe në Ballkanin Perëndimor. Prandaj lind nevoja e rishikimit të kapaciteteve ushtarake të nevojshme për mbrojtjen e vendit, sigurimin e qëndrueshmërisë kombëtare, si dhe kapacitetet për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të NATO-s. Kapacitete që do të synohen të zhvillohen me hartimin e PAZH-it janë të tilla, si sistemet dhe platformat e lëshimit të raketave me një rreze të largët dhe avionë luftarakë”.
Po ashtu, planifikohet të ndërtohet edhe një rrjetit kompjuterik të klasifikuar “NATO Sekret” në Forcat e Armatosura.
“Fokusi i zhvillimit të kapaciteteve për komandim-kontrollin do të jenë kërkesat e objektivave të kapaciteteve të NATO-s, si dhe trendi i teknologjisë të së ardhmes në komunikim-komandim-kontroll me sisteme dhe programe kompjuterike, të cilat do të rritin efektivitetin e forcave të luftimit, duke krijuar rrjetin taktik të informacionit, zbatimin e sistemit të gjurmimit të forcave tona dhe modernizimin e vendkomandave”.
Zbatimi i këtij plani synon të krijojë një Forcë të Armatosur të mirëpajisur dhe mirëtrajnuar, e aftë për të mbrojtur hapësirën kombëtare dhe interesat e Shqipërisë dhe për të mbështetur mbrojtjen kolektive në hapësirën e Aleancës. Një theks të veçantë i jepet mbështetjes me buxhet mbrojtës të FARSH në nivelet jo më pak se 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.