E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtronte prostitucion në shtëpinë me qira, arrestohet e reja braziliane në Shkodër dhe një 28-vjeçar. Procedim dhe për administratoren

Policia e Shkodrës ka arrestuar një shtetase braziliane me akuzën për prostitucion si dhe një 28-vjeçar për organizim të lojërave të fatit, teksa ka proceduar penalisht dhe administratoren e apartamentit ku ushtrohej aktiviteti i paligjshëm.  

Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe Seksionin e Mbështetjes Operacionale, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, bazuar në informacionet e sigurura në rrugë operative, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Rent house”. 

Si rezultat i këtij operacioni u zbulua një apartament në rrugën “Kardinal Mikel Koliqi”, ku ushtrohej prostitucion.

Në kuadër të operacionit u arrestuan në ambientet e apartamentit, konkretisht:

– shtetasja braziliane D. G., 23 vjeçe, e cila kishte marrë me qira apartamentin dhe e kishte përshtatur për ushtrimin e prostitucionit;

– H. H., 28 vjeç. Gjatë veprimeve procedurale u dokumentua aktiviteti i lojrave të fatit.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen B. B., 34 vjeçe, administratorja e apartamentit, për veprën penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.

Policia ka sekuestruar edhe një shumë parash, e dyshuar e përfituar nga prostitucioni dhe 3 celularë. 

Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e rastit dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›