E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.917, DATË 29.12.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE (OBJEKTE), QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RR

V E N D I M 

PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.917,  DATË 29.12.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE (OBJEKTE), QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR RRËSHEN-KALIMASH”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe tё nenit 8, të ligjit nr.9464, datë 28.12.2005, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006”, tё ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave                                  

 

V E N D O S I:

1.     Në vendimin nr.917, datë 29.12.2007, të Këshillit të Ministrave, të bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:   

a)      Në tabelën, që i bashkëlidhet vendimit në fuqi, vlerave të objekteve, me numrat rendorë 27, 32, 37 e 82, u shtohen, pas rivlerësimit të objekteve, përkatësisht, edhe këto vlera:

i)              Vlerës 2 482 836 (dy milionë e katërqind e tetëdhjetë e dy mijë e tetëqind e tridhjetë e gjashtë) lekë, e përcaktuar për objektin me numër rendor 27, i shtohet edhe vlera 122 654 (njëqind e njëzet e dy mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e katër) lekë.

ii)             Vlerës 1 474 687 (një milion e katërqind e shtatëdhjetë e katër mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e shtatë) lekë, e përcaktuar për objektin me numër rendor 32, i shtohet edhe vlera 181 245 (njëqind e tetëdhjetë e një mijë e dyqind e dyzet e pesë) lekë.

iii)            Vlerës 5 768 505 (pesë milionë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e pesëqind e pesë) lekë, e përcaktuar për objektin me numër rendor 37, i shtohet edhe vlera 2 703 282 (dy milionë e shtatëqind e tre mijë e dyqind e tetëdhjetë e dy) lekë.

iv)            Vlerës 2 646 818 (dy milionë e gjashtëqind e dyzet e gjashtë mijë e tetëqind e tetëmbëdhjetë) lekë, e përcaktuar për objektin me numër rendor 82, i shtohet edhe vlera 407 294 (katërqind e shtatë mijë e dyqind e nëntëdhjetë e katër) lekë.

v)             Vlerës së përgjithshme të shpronësimit, prej 296 577 544 (dyqind e nëntëdhjetë e gjashtë milionë e pesëqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind e dyzet e katër) lekësh, e përcaktuar në vendimin nr.917, datë 29.12.2007, të Këshillit të Ministrave, i shtohet vlera 3 414 475 (tre milionë e katërqind e katërmbëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e pesë) lekë.

b)      Në tabelën, që i bashkëlidhet vendimit në fuqi, në bazë të dokumentacionit të pronësisë, bëhen ndryshimet e mëposhtme:

i)              Për objektin në numrin rendor 37, në pronësi të këtyre personave: Tonin Dod Nikolli, Nikoll Dod Nikolli dhe Gjet Dod Nikolli, ndryshojnë pronarët dhe bëhet ndarja e objektit në pronësi të Ded Dod Nikolli, me numër pasurie 59/9, Gjet Dod Nikolli, me numër pasurie 59/3, dhe Preng Dod Nikolli, me numër pasurie 59/8.

ii)             Për objektin në numrin rendor 76, në pronësi të këtyre personave: Dod Llesh Ndreca, Nikoll Llesh Ndreca dhe Gjok Llesh Ndreca, ndryshojnë pronarët dhe bëhet ndarja e objektit në pronësi të Gjok Llesh Ndreca, me numër pasurie 167,  Vasil Gjok Ndreca, me numër pasurie 237, Ilir Gjok Ndreca, me numër pasurie 165/5, Nikoll Llesh Ndreca, me numër pasurie 163, Anton Nikoll Ndreca, me numër pasurie 236, dhe Dod Llesh Ndreca, me numër  pasurie 170.

2.     Shtesa për shpronësim, në vlerën  3 414 475 (tre milionë e katërqind e katërmbëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e pesë) lekë, të përballohet nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave, në Bankën e Shqipërisë, “Fondi i shpronësimeve”.

3.     Likuidimi i pronarëve të fillojë më 15.2.2009 dhe të përfundojë më 15.4.2009.

4.     Pronarët e shënuar në listën, qё i bashkёlidhet kёtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmim ZRPP”, do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. 

5.     Drejtoria e Pёrgjithshme e Rrugёve tё bëjë likuidimin e pronarëve, brenda afateve të përcaktuara në pikën 4, të këtij vendimi, në bazë të dokumentacionit të pronësisë. 

6.     Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Pёrgjithshme e Rrugёve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA

 


11/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›