V E N D I M PËR SHPËRBLIMIN E PRONARËVE PËR SIPËRFAQET TAKUESE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE
V E N D I M
PËR
SHPËRBLIMIN E PRONARËVE PËR SIPËRFAQET TAKUESE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 15/1, 32, pika 1, shkronja “a”, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale në qarqet e Tiranës, të Elbasanit, të Gjirokastrës dhe të Kukësit.
2. Pronarët e pasurive të paluajtshme, për sipërfaqen e zënë nga ndërtimet informale, të shpërblehen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 88 468, 6 (tetëdhjetë e tetë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e tetë presje gjashtë) m2, tokë truall, me vlerë të përgjithshme 2 305 676 757, 68 (dy miliardë e treqind e pesë milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e shtatë presje gjashtëdhjetë e tetë) lekë.
3. Vlera prej 2 305 676 757, 68 (dy miliardë e treqind e pesë milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e shtatë presje gjashtëdhjetë e tetë) lekësh, të përballohet nga fondi i kompensimit të pronave, parashikuar në ligjin nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar.
4. Ngarkohet Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që, në përputhje me këtë vendim, të kryejë ndryshimet përkatëse në regjistrat e pasurive të paluajtshme, për kalimin e pasurisë së paluajtshme të kompensuar në pronësi të shtetit.
5. Ngarkohen Ministria e Financave, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
11/06/2009