E Diel, 1 Nëntor 2026

VARSHAVË – Nuk ka vendim për tërheqjen e trupave amerikane nga Polonia

VARSHAVË, 19 maj /ATSH-DPA/ – Qeveria polake deklaroi se Departamenti amerikan i Mbrojtjes  nuk ka marrë asnjë vendim për reduktimin e numrit të trupave amerikane në këtë vend anëtar të NATO-s.

Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, shkroi në platformën X se këtë e kishte mësuar gjatë një bisede me homologun e tij amerikan, Pete Hegseth.

“Sekretari amerikan i Mbrojtjes ka konfirmuar se angazhimi i Shteteve të Bashkuara  të Amerikës për mbrojtjen dhe sigurinë e Polonisë mbetet i pandryshuar”, shkroi ai.

Javën e kaluar, gazeta “The Wall Street Journal” raportoi, duke cituar një zyrtar të Pentagonit, se Departamenti i Mbrojtjes kishte pezulluar dislokimin në Evropë të një brigade luftarake prej rreth 4 000 ushtarësh.

Sipas raportit, vendimi ishte komunikuar gjatë një takimi midis “United States European Command” dhe pjesëve të ushtrisë amerikane.

Fillimisht pritej që këta ushtarë të vendoseshin në Poloni për një mision nëntëmujor.

Qeveria në Varshavë e mohoi menjëherë se Polonia ishte prekur nga ky pezullim i dislokimeve.

Pas bisedës me Hegseth, Kosiniak-Kamysz shkroi se “vendimet e marra nuk janë në asnjë mënyrë të drejtuara kundër partneritetit tonë strategjik. Pentagoni aktualisht po punon për një plan të ri të vendosjes së trupave të tij në të gjithë Evropën”.

Pak më shumë se tre javë më parë, Hegseth urdhëroi tërheqjen e rreth 5 000 ushtarëve amerikanë nga Gjermania.

Sipas Ministrisë polake të Mbrojtjes, në Poloni janë dislokuar pothuajse 10 000 ushtarë amerikanë. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›