E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PER RRITJEN E PENSIONEVE SUPLEMENTARE TË USHTARËKEVE, TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT DHE TË TRAJTIMEVE TË VEÇANTA FINANCIARE

VENDIM

Për


RRITJEN E PENSIONEVE SUPLEMENTARE TË USHTARËKEVE, TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT DHE TË TRAJTIMEVE TË VEÇANTA FINANCIARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 18, të ligjit nr.8087,     datë 13.3.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror”, të ndryshuar, të ligjit nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ligjit nr.9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe polumbarëve të forcave detare, në pension”, të ligjit nr.8661, datë 18.9.2000, “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”, dhe të ligjit nr.8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.         Pensionet e parakohshme, për vjetërsi shërbimi, pensionet suplementare të pleqërisë, pensionet suplementare të invaliditetit, pensionet suplementare të invaliditetit të ushtarakëve, që, për shkak të detyrës, bëhen të paaftë plotësisht, pensionet suplementare familjare dhe pensionet suplementare familjare të ushtarakëve, që, për shkak të detyrës, humbasin jetën, të caktuara në mbështetje të ligjit nr.8087, datë 13.3.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror”, të ndryshuar, rriten në masën 2 për qind.

2.         Trajtimi i veçantë financiar i pilotëve fluturues, në pension, rritet në masën 2 për qind.

3.         Trajtimi i veçantë i punonjësve të disa ndërmarrjeve të industrisë ushtarake, rritet në masën 5 për qind.

4.         Trajtimi i veçantë financiar i efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues, të nëndetëseve dhe polumbarëve të forcave detare, në pension, rritet në masën 2 për qind.

5.         Pensionet e parakohshme, për vjetërsi shërbimi, pensionet suplementare të pleqërisë, pensionet suplementare të invaliditetit, pensionet suplementare të invaliditetit të punonjësve të Policisë së Shtetit, që, për shkak të detyrës, bëhen të paaftë plotësisht, pensionet suplementare familjare dhe pensionet suplementare familjare të punonjësve të Policisë së Shtetit, që, për shkak të detyrës, humbasin jetën, të caktuara në mbështetje të ligjit nr.8661, datë 18.9.2000, “Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”,  rriten në masën 2 për qind.

6.         Trajtimi i veçantë i punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë, rritet në masën 5 për qind.

7.         Rritjen në masën 2 për qind, sipas pikave 1, 2, 4 e 5, të këtij vendimi, si dhe rritjen në masën 5 për qind, sipas pikave 3 e 6, të këtij vendimi e përfitojnë të gjitha përfitimet e caktuara, me datë fillimi deri më 30.6.2006, përfshirë edhe këtë datë.

8.         Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2006, llogariten në shumën 42 000 000 (dyzet e dy milionë) lekë, dhe do të përballohen nga buxheti i këtij viti, miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

9.         Ngarkohen Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare, sha, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1.7.2006.

 K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›