VENEZUELË – Zgjedhjet Presidenciale, Maduro përballet me një sfidë të ashpër

RIO DE ZHANEIRO, 28 korrik /ATSH-DPA/- Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, pritet të përballet me një sfidë të fortë kundrejt kandidatit të opozitës, Edmundo Gonzalez në zgjedhjet e sotme presidenciale.
Maduro, një socialist, po kërkon një mandat të tretë në detyrë.
Gjithsej kandidojnë dhjetë kandidatë. Disa sondazhe e kanë vendosur Gonzalez përpara Maduros, i cili ka qenë në krye të vendit të Amerikës së Jugut për 11 vite të trazuara.
Por, pak vëzhgues brenda apo jashtë Venezuelës presin zgjedhje të lira dhe të ndershme kur votuesit të shkojnë në qendrat e votimit.
Në prag të ditës së zgjedhjeve, shumë anëtarë të opozitës u arrestuan dhe kandidatët kritikë ndaj qeverisë nuk u lejuan të konkurrojnë.
Një total prej rreth 21,6 milionë njerëz kanë të drejtë të votojnë, përfshirë ata jashtë vendit.
Zgjedhjet në Venezuelë fitohen me shumicë të thjeshtë në raundin e parë.
Maduro, i cili fitoi një mandat të dytë në zgjedhjet e 2018 – të kritikuara gjerësisht si jodemokratike – ka kryesuar vendin gjatë një krize ekonomike – duke përfshirë hiperinflacionin, mungesat akute të mallrave dhe rënien e prodhimit të naftës – gjë që ka nxitur rreth 7,7 milionë venezuelas të ikin jashtë vendit, sipas Kombeve të Bashkuara.
Ai ka goditur gjithashtu opozitën, ndërsa hetuesit e OKB-së kanë akuzuar qeverinë për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, duke përfshirë mijëra vrasje nga forcat e sigurisë. //a.i/