VIDEO / Drogë me postë nga SHBA-ja, arrestohet 23-vjeçari italian në Tiranë

Duket se trafiku i kanabisit përmes postës nga shtetet e huaja është bërë trend. Për të disatën herë, policia e Tiranës ka arrestuar një person që mori një pako me lëndë narkotike me përqindje të lartë THC-je në një postë në kryeqytet.
Autoritetet thonë se i arrestuari është një 23-vjeçar italian me iniciale M.M.
“Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, Komisariatin e Policisë Rinas dhe Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare, si rezultat i hetimeve disamujore të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Dërgesa”. Si rezultat i operacionit u arrestua shtetasi italian M. M., 23 vjeç, banues në Tiranë”, njoftoi policia.Italiani u kap në flagrancë në një degë postare kur mori kanabisin, rreth 475 gramë kanabis. Dyshimet janë se droga është trafikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më tej, policia tha se ka sekuestruar edhe 442 gramë kanabis pas kontrollit në banesën e të riut. Po ashtu janë sekuestruar 20 mijë euro dhe 7 celularë.
Kujtojmë se më herët policia ka goditur disa raste të trafikimit të kanabisit me përqindje të lartë THC-je që vinte SHBA-ja dhe Tajlanda.