E Diel, 1 Nëntor 2026

VIDEO/ 13 të martat e Shna Ndout, nis pelegrinazhin në Kishën e Laçit! Policia me masa të shtuara

Policia e Lezhës dhe Policia e Kurbinit kanë ndërmarrë masat për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë pelegrinazhit në Kishën e Shna Ndout, Laç, i cili do të zhvillohet çdo të martë, për 13 javët në vijim.

Objektivat kryesore të këtij plani janë parandalimi i ngjarjeve kriminale, menaxhimi i fluksit të lëvizjes, parandalimi i aksidenteve rrugore, si dhe administrimi i trafikut në itinerarin drejt kishës.

Në zbatim të masave të përcaktuara, shërbimet e Policisë Rrugore janë vendosur përgjatë aksit “Autostradë – Laç” deri në Kishën e Shna Ndout, me qëllim orientimin e lëvizjes dhe shmangien e bllokimeve.

Gjithashtu, janë mbuluar me shërbime policore kryqëzimet kryesore në Patok, pranë Gjykatës në Laç, si dhe në afërsi të varrezave të qytetit.

Shërbimet e Policisë janë dislokuar dhe në hyrje/daljet e vendparkimit në perimetrin e kishës, si dhe në segmentin malor të rrugës, ku rreziku për krijimin e bllokimeve është më i lartë.

Ndërkohë, patrullat e Rendit Publik, Policia Rrugore dhe strukturat e Policisë Kriminale janë angazhuar në terren për garantimin e sigurisë së besimtarëve dhe parandalimin e çdo incidenti të mundshëm. Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë fton të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët, të respektojnë udhëzimet e Policisë, me qëllim shmangien e vonesave dhe zhvillimin e një pelegrinazhi të qetë dhe të sigurt.Policia e qarkut Lezhë mbetet në gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmë dhe siguri për të gjithë qytetarët pjesëmarrës.

Çfarë janë “13 të martat”? 

Sot, më 17 mars, nisi udhëtimi shpirtëror i “Trembëdhjetë të martave të Shna Ndout”, një traditë e njohur e besimtarëve katolikë. Ky devocion antonian zgjat për 13 javë rresht, gjatë të cilave besimtarët mblidhen për lutje dhe meshë, duke nderuar figurën e shenjtit françeskan, të njohur si predikatar i shquar dhe pajtor qiellor i të varfërve dhe atyre që vuajnë.

Tradita dëshmohet çdo vit nga prania e madhe e pelegrinëve në shenjtëroret dhe kishat kushtuar Shën Antonit.

Edhe në trevat shqiptare kjo përshpirtëri është shumë e përhapur, veçanërisht në Kishën e Shna Ndout në Laç dhe në Gjakovë, ku besimtarë të shumtë ngjiten për t’u lutur dhe për të kërkuar ndërmjetësimin e shenjtit për shëndet, paqe dhe ndihmë në vështirësitë e jetës.

Ky pelegrinazh praktikohet në shenjë pendese, në emër të sakrificës dhe lutjeje a falenderimi që i dërgohet shenjtorit Shna Ndou, i cili bën edhe mrekulli.

Pelegrinazhi i shenjtë fillon në mes të muajit mars, që është e marta e parë e pelegrinazhit në shenjtoren e Shna Ndout dhe përfundon në 13 qershor që është dhe festa. Për 13-të të marta, besimtarë të shumtë nga të gjitha fetë, ndezin qirinj duke besuar në mrekullitë e Shna Ndout.

Kremtimi i “13 të martave të Shna Ndout” lidhet me kujtimin e ditës së varrimit të shenjtit, që u kremtua të martën pas vdekjes së tij më 17 qershor të vitit 1231 në Padovë.

Sipas traditës, gjatë përcjelljes së trupit të tij nëpër rrugët e qytetit ndodhën shumë mrekulli për ata që iu lutën ndërmjetësimit të tij. Për besimtarët, figura e Shën Antonit mbetet një udhërrëfyes shpirtëror që i fton të ecin drejt Jezu Krishtit, të cilin ai e konsideronte burimin e jetës, rrugën, të vërtetën dhe jetën.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›