VIDEO-EMRI/ Qëlloi me armë në drejtim të banesës së 60-vjeçarit pas një sherri banal, RENEA ndjek në pyll dhe arreston 41-vjeçarin

Një sherr banal mes dy fqinjëve në ambientin e një lokali për pak është kthyer në tragjedi në Kurbin, pasi njëri prej personave të përfshirë në konflikt pasi është larguar ka marrë pushkën dhe ka qëlluar në drejtim të banesës së personit tjetër.
Rasim Mihana 41-vjeç pasi është konfliktuar në ambientet e një lokali me 60-vjeçarin C.H ka shkuar në banesën e tij ka marrë pushkën dhe ka qëlluar në drejtim të banesës së 60-vjeçarit, por fatmirësisht nuk ka patur persona të lënduar.
Pas kësaj ai është larguar në drejtim të pyllit, ku në ndjekje të tij janë vënë forcat RENEA.
“Pas kërkimeve dhe ndjekjes intensive, të kryera gjatë natës, në territorin e fshatit Malbardhë, nga Policia e Kurbinit, Forcat Operacionale dhe Shqiponjat e DVP Lezhë, Forcat e Sigurisë Kombëtare dhe forcat speciale “RENEA” u bë e mundur kapja dhe vënia në pranga e 41-vjeçarit që qëlloi me armë zjarri, drejt banesës së 60-vjeçarit”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu në këtë zonë shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan armën e zjarrit pushkë me të cilën qëlloi i arrestuari.
Rasim Mihana, rreth mesnatës, është konfliktuar për motive të dobëta, në ambientet e një lokali, me shtetasin C. H., 60 vjeç. Më pas Mihana, ka marrë armën e zjarrit, në banesën e tij, ka qëlluar me të, në drejtim të banesës së 60-vjeçarit, me pasojë vetëm dëme materiale, dhe është larguar në zonën e pyllëzuar të fshatit Malbardhë, Kurbin, për t’u fshehur.
41-vjeçari i arrestuar akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Pas arrestimit ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili përgëzoi Forcat e Sigurisë Kombëtare, Forcat “RENEA” dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
Balla: Përgëzoj Forcat e Sigurisë Kombëtare, Forcat “RENEA” dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë për reagimin në kohë për parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale, si dhe për kapjen dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të autorit të ngjarjes. Parandalimi dhe reagimi në kohë janë elemente kryesore të rritjes së parametrave të sigurisë./vizionplus.tv