VIDEO/ Ideatori i investimeve milionëshe në Dubai, rrëfimi ekskluziv i Kristian Cukut për “Përtej Kufijve”

Emisioni “Përtej Kufijve” solli në puntatën e parë të vitit 2026 një temë me rëndësi të veçantë për botën e biznesit dhe investimeve ndërkombëtare, duke hedhur dritë mbi fuqinë e rrjetëzimit elitar dhe mundësitë reale për zgjerim përtej kufijve.
Moderatorja Marlbora Gurra ndoqi nga afër “Galanë e Investitorëve”, një event i mbajtur në Kosovë, ku u bashkuan investitorë, sipërmarrës dhe profesionistë të fushave të ndryshme, të interesuar për tregjet globale dhe ndërtimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare.
Të pranishmit patën mundësinë të njihen nga afër me kompani që gjenerojnë mbi 1 bilion euro shitje në tregjet globale, duke mësuar mbi strukturat e tyre operative dhe potencialin e investimit, veçanërisht në tregje strategjike si Dubai.
Organizatori i mbrëmjes, Kristian Cuku, një emër i njohur në botën e Real Estate në Dubai, e cilësoi këtë event si një pikënisje për bashkëpunime afatgjata, duke theksuar se takimet personale me investitorë dhe individë të interesuar do të pasohen nga seanca këshilluese dhe informative më të thelluara në ditët në vijim.
“Kjo galë nuk është thjesht një event formal, por një pikënisje konkrete për bashkëpunime reale. Qëllimi ynë është të lidhim investitorët dhe sipërmarrësit shqiptarë me struktura serioze ndërkombëtare dhe t’u hapim rrugë mundësive jashtë kufijve”, u shpreh ai.
“Interesi i treguar sonte tregon qartë se bizneset janë të etura për informacion të saktë dhe rrjetëzim elitar. Pas këtij takimi do të pasojnë seanca këshilluese dhe takime më të detajuara për ata që duan të ecin përpara. Po flasim për kompani që gjenerojnë mbi 1 miliard euro shitje globale. Këto nuk janë ide teorike, por modele funksionale biznesi që mund të replikohen edhe nga sipërmarrësit tanë”, shtoi më tej Cuku.
Ndërkohë, Xheneta Bahtiri, përfaqësuese e një zyre të njohur të këshillimit tatimor në Prishtinë, ndau për emisionin “Përtej Kufijve” informacione praktike dhe këshilla konkrete mbi aspektet fiskale, ligjore dhe strukturore që lidhen me bizneset ndërkombëtare dhe ekspansionin jashtë vendit.
“Zgjerimi në tregjet ndërkombëtare kërkon domosdoshmërisht strukturim të saktë fiskal dhe ligjor. Bizneset duhet të jenë të informuara përpara se të hedhin hapin jashtë vendit. Një nga gabimet më të shpeshta është nënvlerësimi i aspektit tatimor. Me këshillimin e duhur, bizneset mund të optimizojnë kostot dhe të shmangin rreziqe serioze”, tha ndër të tjera ekspertja.
Për më shumë, ndiqni më poshtë puntatën e plotë të emisionit “Përtej Kufijve”, i cili çdo të diel, ora 18:00, sjell në ekranin e Fax News histori suksesi nga shqiptarët kudo në botë.