VIDEO/ Nuk qëndronin më shumë se 15 minuta, policia italiane çmonton bandën e “skifterave” shqiptarë

Policia e Veronës në Itali ka shkatërruar një bandë hajdutësh, e përbërë nga 4 shtetas shqiptarë, të moshës 25–28 vjeç, të specializuar në vjedhje të shpejta në banesa.
Vjedhja e fundit e dokumentuar nga autoritetet ndodhi më 19 dhjetor, kur dy banesa në qytet u grabitën. Nga shtëpitë u vodh një kasafortë që përmbante bizhuteri dhe para cash.
Të dyshuarit u arrestuan nga Skuadra Lëvizëse e Policisë së Veronës, ndërsa po ktheheshin në bazën e tyre, me sendet e vjedhura ende në automjet, raporton TgCom.
Arrestimi erdhi pas disa javësh ndjekjeje dhe mbikëqyrjeje, që çuan në identifikimin e mjetit të përdorur nga autorët.
Sipas policisë, hajdutët vepronin me saktësi dhe shpejtësi, duke mos qëndruar më shumë se 15 minuta në çdo banesë. Ata përdornin gjithmonë të njëjtën mënyrë veprimi dhe mjete profesionale për të hapur dyert dhe kasafortat.
Gjatë kontrollit në banesën e tyre jashtë qytetit, policia sekuestroi sende të tjera me vlerë dhe para cash.
Hetimet po vazhdojnë për identifikimin e pronarëve dhe kthimin e sendeve të vjedhura tek poseduesit.
