VIDEO/ Paralajmërimi i deputetit: Me “Jet Bank”, një tjetër pengesë në procesin e integrimit!

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi vijon denoncimet që lidhen me të parën bankë digjitale në Shqipëri, “Jet Bank”.
Sipas deputetit demokrat, akte të tilla si licensimi pa transparencë i bankës digjitale Jet Bank, për fat të keq nuk do të kalojë pa pasoja. Bashkimi Europian kërkon procedurë rigoroze në këtë drejtim.
Ai shtoi se, “ne do ta ndjekim dhe jam i përkushtuar të zbuloj të vërtetën dhe kush fshihet pas këtij vendimi”.
Pjesë nga fjala e Këlliçit sot në Parlament:
“Jemi në fazën që kemi hapur grup kapitujt, kemi hapur edhe ato të tregut të brendshëm. Mbajeni mend, kjo banka dixhitale që keni licensuar ‘Jet Bank’, do jetë një arsye që do shtyhen negociatat. Mbajeni mend këtu, këtu do jemi. Dhe nuk flisni kurrë.
Parafolësi që u shpreh për integrimin e Shqipërisë, në hapësirën imagjinare që ai ka të Bashkimit Europian, harron që dje foli komisionerja për zgjerim, Marta Kos, ku përmendi vetëm Malin e Zi, Islandën, përmendet Moldavia, por Shqipëria nuk ekziston më. Dhe ky është një problem, ky është një problem që na përket të gjithëve.
Por nuk mund të vazhdojmë këtu të gënjejmë opinionin publik, gënjejmë qytetarët, gënjejmë dhe njëri-tjetrin dhe të fshihemi pas artificave, jo ke dhe 10 sekonda, jo ke dhe 12 sekonda, jo 30 sekonda për diskutim.
Rrimë këtu ta gdhijmë po qe e nevojshme, të ezaurojmë të gjithë problemet që realisht prekin qytetarët”.
Jet Bank është institucioni më i ri bankar online ndaj të cilit ka pasur një sërë denoncimesh, të iniciuara nga opozita.
Prej javësh deputeti Belind Këlliçi ka denoncuar se ky institucion bankar është përfshirë në një skandal, pasi pas tij qëndrojnë njerëz që janë përfshirë në skemë mashtrimi.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka shkuar më tej, duke e cilësuar Jet Bank si “banka e familjes Rama”.