E Diel, 1 Nëntor 2026

VIDEO/ Prishtinë, Rama pritet në ceremoni zyrtare nga Albin Kurti

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po zhvillon një vizitë pune në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Kryeministri Rama u takua fillimisht me Presidenten Vjosa Osmani, ndërsa më pas u prit me ceremoni zyrtare nga homologu i tij, Albin Kurti.

Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të dy vendeve, Rama dhe Kurti vijuan takimin me dyer të mbyllura për mediat.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri Rama mori pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala, si edhe do të mbajë një leksion të hapur me të rinjtë e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”.

Kjo vizitë e kryeministrit Rama në Kosovë vjen vetëm një ditë para se të kremtohet 18-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, ku janë parashikuar të zhvillohen organizime të ndryshme, mes të cilave edhe protesta në përkrahje të ish-krerëve të UÇK të thirrur nga platforma “Liria ka emër”. Slogani i kësaj proteste është “Drejtësi, jo politikë”.

Para mbërritjes së Ramës në Prishtinë, Policia e Kosovës kishte njoftuar një plan masash që do ndërmerreshin gjatë parakalimit të eskortës së tij por dhe kohës së qëndrimit atje, me qëllim ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes nga pika kufitare Aeroporti si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare së vizitës, Policia e Kosovës  do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›