VIDEO/ Protesta e banorëve në Durrës, hidhen letra higjenike, domate dhe kapsolla drejt bashkisë. Një i shoqëruar

U mbajt këtë mbrëmje protesta e rradhës para Bashkisë së Durrësit, ku dhjetëra qytetarë akuzuan pushtetin vendor dhe kryebashkiaken Emiriana Sako për mosmarrjen e masave të nevojshme me qëllim shmangien e përmbytjes së qytetit.
Protestuesit kërkuan vlerësimin e saktë dhe të plotë të dëmeve që u janë shkaktuar nga përmbytjet dhe menjëherë pas këtij procesi, shpërndarjen e dëmshpërblimit të merituar.
Shumë prej tyre pretenduan se nuk kanë marrë ende dëshmpërblimet e humbjeve të shkaktuara nga përmbytjet vitin e kaluar, por edhe më parë.
Tubimi me dhjetëra pjesëmarrës u udhëhoq nga eksponentë të Partisë Demokratike dhe asaj të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”. Këta të fundit pretenduan se patronazhistë të Partisë Socialiste kanë kërcënuar qytetarët që morën pjesë në protestën e djeshme, duke u thënë se nëse do të dalin sërish në shesh, nuk do të dëmshpërblehen për dëmet që e shkaktuara nga uji që përgjatë ditëve të fundit u ka pushtuar tokat, bizneset dhe shtëpitë.
Durrësi është një ndër zonat më të prekura nga përmbytjet ndërsa në këtë qytet është regjistruar gjithashtu dhe viktima e parë nga përmbytjet.