VIDEO/ Rama pritet me ceremoni zyrtare nga homologia Meloni. Pas Romës udhëton drejt Barcelonës

Kryeministri Edi Rama, i cili nisi sot vizitën e punës në Romëm u prit në ceremoni zyrtare nga homologia italiane Giorgia Meloni në “Pallatin Chigi”, me të cilën zhvilloi më pas një takim kokë më kokë, me fokus ecurinë e bashkëpunimit mes dy vendeve, thellimin e marrëdhënieve mes tyre, si dhe çështjet me interes të përbashkët rajonal dhe evropian.
Pas Romës, kryeministri Rama do të udhëtojë drejt Spanjës ku me ftesë të Kryeministrit Pedro Sánchez, do të marrë pjesë në punimet e mbledhjes së katërt të Samitit “Në Mbrojtje të Demokracisë”, që zhvillohet në Barcelonë.
Punimet e samitit do të përqendrohen në tema kyçe si “Institucionet dhe multilaterizmi” si edhe “Dezinformimi dhe teknologjia digjitale”, ku një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rregullimit të mjedisit dixhital për të luftuar dezinformimin, forcimit të institucioneve demokratike, si dhe luftës ndaj pabarazive si themel për një demokraci të fortë.