E Diel, 1 Nëntor 2026

VV-ja shpreh keqardhje për tërheqjen e Sejdiut, akuzon opozitën për bllokimin e procesit

PRISHTINË, 14 shtator/ATSH/ Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur keqardhje për tërheqjen e profesorit Bekim Sejdiu nga kandidatura për president të Kosovës.

Sipas kësaj partie, Sejdiu ishte kandidat i përbashkët, i dalë nga marrëveshja politike ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Vetëvendosja ka thënë se kjo marrëveshje ishte arritur pas bisedimeve politike. Synimi, sipas saj, ishte që vendi të dilte nga pasiguria institucionale dhe presidenti të zgjidhej në Kuvend.

“Lëvizja Vetëvendosje i qëndroi kësaj marrëveshjeje dhe kandidatit të përbashkët deri në fund”, thuhet në reagim.

Megjithatë, kjo parti ka akuzuar një pjesë të deputetëve të LDK-së se kundërshtuan kandidaturën e miratuar edhe nga partia e tyre. Ndërkaq, sipas Vetëvendosjes, PDK-ja dhe AAK-ja kishin paralajmëruar se nuk do të merrnin pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit.

Vetëvendosje vlerëson se këto qëndrime krijuan rrethana që e pamundësuan përfundimin e procesit në Kuvend. Sipas saj, në këtë situatë erdhi edhe vendimi i Sejdiut për t’u tërhequr.

“Për muaj me radhë u kërkua dialog, kompromis dhe marrëveshje. Dialogu u zhvillua, kompromisi u bë, marrëveshja u arrit dhe kandidati i përbashkët u gjet. Kur erdhi koha që marrëveshja të merrte votën e Kuvendit, nisi pengimi dhe goditja e saj”, thuhet në komunikatë.

Në reagim theksohet se Kuvendi është institucioni ku dallimet politike duhet të shprehen përmes votës, qoftë ajo për apo kundër një kandidati.

Sipas Vetëvendosjes, përdorimi i mospjesëmarrjes për ta pamundësuar votimin nuk përbën vetëm kundërshtim politik ndaj një kandidature. Kjo parti e ka cilësuar një veprim të tillë si pengim të procesit kushtetues dhe dërgim të vendit drejt zgjedhjeve të përsëritura.

Në fund, Vetëvendosje ka falënderuar profesor Bekim Sejdiun për gatishmërinë që t’i shërbente vendit dhe për dinjitetin e treguar gjatë gjithë procesit.

“Kosova e pati marrëveshjen dhe kandidatin e përbashkët. E pati mundësinë që çështja e presidentit të zgjidhej në Kuvend. Por u bllokua, sërish”, përfundon reagimi i Vetëvendosjes.


/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›