E Diel, 1 Nëntor 2026

Vaji i ullirit mbetet stok, fermerët në Mallakastër: Nuk ka treg, duhen pika grumbullimi

Ndonëse njihet si një ndër zonat me prodhimin më cilësor të vajit të ullirit në vend, Mallakastra po përballet me sasi të mëdha stok në depot e fermerëve. Sezoni që kaloi shënoi një prodhim të mbarë dhe me cilësi të lartë, por mungesa e tregut e bëri të pamundur shitjen e vajit të ullirit.

“Ne e mbollëm tokën dhe e patëm grurë e misër. Serat i kemi vaditur, dhe tokën e kemi të mira. I mbollëm ullinj po prapë nuk patëm fitim, apeli është ky që të kemi më shumë treg, nëse tregun na e sigurojnë ne kaq duam, mos na iki prodhimi kot.”

Sipas kultivuesve, për vajin e ullirit, që është dhe baza e të ardhurave familjare duhen pika grumbullimi dhe mbështetje nga shteti për të krijuar dhe markën e zonës, pasi vetëm në këtë mënyrë do i hapej rruga eksportit.

“Në rast se do ketë tregje dhe do punohet duke na lidhur me një firmë që të na i marri, jo vetëm ne po dhe në fshatra të tjerë në mbarë vendin, ku prodhohet vaj ulliri atëherë lidhen kontrata, vihet një çmim dhe ne e dimë sa prodhojmë. E dimë që do ketë këtë çmim dhe do punojmë për kaq. Unë sot punoj dhe nuk di ku e çoj prodhimin.”

Kostoja e lartë e punës, që nga kujdesi fillestar e deri te procesi i përpunimit në fabrikë e bën të pamundur shitjen e vajit të ullirit nën kosto – thonë fermerët,-  ndërsa theksojnë se nëse situata mbetet e pandryshueshme, do të heqin dorë përfundimisht nga kultivimi i kësaj kulture që për vite me radhë shtylla e ekonomisë lokale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›