Vakte në shkollë për fëmijët e Podujevës – projekti synon ushqim për mbi 10 mijë fëmijë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, vendosën gurthemelin për ndërtimin e Kuzhinës Qendrore, në një projekt që do t’u shërbejë mbi 10 mijë fëmijëve, që nga çerdhja deri në klasën e nëntë.
Kurti tha se ndërtimi i Kuzhinës Qendrore është shumë i dobishëm, pasi sipas tij, mësimnxënia varet shumë nga mirëqenia e nxënësve.
“Vlera e këtij projekti është 700 mijë euro, me ç’rast do të ketë një sipërfaqe prej 1,150 metra katrorë, me restorantin, hapësirën për punëtorë, hapësirë për administratë. Ky është një lajm i mirë për mirëqenien e fëmijëve dhe kujdesin e komunës dhe qeverisë për të drejtat dhe nevojat e fëmijëve. Të gjithë e dimë se mësimnxënia varet shumë nga mirëqenia e nxënësve,” tha Kurti.
Ndërsa kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se me ndërtimin e Kuzhinës Qendrore do të krijohen parakushtet për mësimin gjithë ditor në Podujevë.
“Ajo që mund t’ju them në këtë moment është se kemi gjetur Podujevën me një çerdhe publike dhe po e mbyllim mandatin tonë me nëntë çerdhe të tilla. Kjo do të thotë rritje e kapaciteteve infrastrukturore dhe rritje e numrit të nxënësve në nivel parafillor të çerdheve. Është moment i veçantë që po e bëjmë këtë kuzhinë, pasi këta fëmijë do të kenë mundësinë të kenë ushqimin e ngrohtë… Po bëjmë përgatitjet e para që të shkojmë drejt mësimit gjithë ditor dhe shumë shpejt Komuna e Podujevës do të shkojë në këtë projekt të gjerë,” tha ai.
Pas hedhjes së gurthemelit të Kuzhinës Qendrore në Podujevë, Kurti dhe Bulliqi përuruan edhe një çerdhe në fshatin Kërpimeh dhe në Orllan.
/rtsh.al/