E Hënë, 2 Nëntor 2026

Valbona ofron pamje mahnitëse në vjeshtë

TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ Ngjyrat e vjeshtës kanë “veshur” edhe Valbonën, duke krijuar një peizazh të jashtëzakonshëm në një prej mrekullive të natyrës alpine shqiptare.

Kryeministri Edi Rama, përcolli sot në rrjetet sociale, pamje të maleve të Valbonës me bukuri mahnitëse.

Vjeshta me temperaturat e larta në javën e parë të nëntorit ka sjellë atmosferë magjike, ndërsa nuancat e ngjyrave të tokës kanë mbuluar gjithë Valbonën.

Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas, por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen me bukuritë e Alpeve të vendit tonë.

Valbona shtrihet në qendër të Alpeve Shqiptare. Parku Kombëtar i kësaj zone ka një sipërfaqe prej 8 mijë hektarësh.

Natyra e këtij parku është e pasur me varietete të përshtatshme për turizëm, peshkim e alpinizëm. Ka një klimë malore me dimër të ashpër e reshje të pasura shiu e bore dhe me temperatura të ulëta, si dhe periudha të gjata me ngrica dhe erëra.

Vizitorë të shumtë nga vendi dhe bota e kanë pjesë të listës së tyre të atraksioneve turistike, duke e kthyer Valbonën në një pikë me turizëm gjithëvjetor.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›