E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vangjeli: Segmente të medias përdoren nga SPAK, duke u bërë palë e padeklaruar në proces

Analisti politik Lorenc Vangjeli ka ngritur akuza të publike ndaj disa segmenteve të medias, duke pretenduar se ato po përdoren nga segmente të caktuara brenda Struktures së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), duke u shndërruar në “palë të padeklaruar në procesin” e drejtësisë.

Vangjeli theksoi se media duhet të jetë një pushtet i pavarur dhe se marrëdhënia e saj me SPAK-un është “e ndërlikuar”.

“Kemi një bërthamë në media që është përdorur nga segmente të SPAK-ut, duke përdorur segmente të caktuara të medias si palë të padeklaruar në proces,” tha Vangjeli.

Dëmi i shkaktuar nga rrjedhjet

Analisti theksoi se publikimi i materialit hetimor në media, ka krijuar perceptime të gabuara në publik dhe ka shërbyer si fillesa për “gjykime popullore”.

Problemi më i madh, sipas Vangjelit, është se këto rrjedhje informacioni “kanë dëmtuar rëndë proceset ligjore.”

Në fund, ai e zhvendosi theksin e përgjegjësisë tek institucioni i drejtësisë.

“Fajin e ka kasaforta që ruan dokumentet. S’kemi ende asnjë fajtor se kush i ka bërë këto,” përfundoi Vangjeli.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›