Vatikani ndez pemën e Krishtlindjes, në sheshin e Shën Pjetrit u zbulua skena e Lindjes së Krishtit

Krishtlindja nisi zyrtarisht në Vatikan me ceremoninë tradicionale të ndezjes së pemës dhe zbulimin e skenës monumentale të Lindjes së Krishtit. Qindra njerëz u mblodhën në sheshin e Shën Pjetrit për të shënuar edhe nisjen zyrtare të sezonit festiv.
Në ceremoni ishin të pranishëm edhe delegacione nga zona e Piemontes, e cila dhuroi pemën e Krishtlindjes së këtij viti. “Ndihemi të emocionuar, sepse kjo pemë me shkëlqimin e saj simbolizon paqen dhe qetësinë e ri zbuluar në zemrat e njerëzimit, i cili sot ka vërtet nevojë për paqe”, tha kleriku Kristiano Bodo, pas zbulimit të skenës së lindjes së Krishtit dhe ndriçimit të pemës së Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit.
Pema është zbukuruar me rreth 7 mijë lule të thara mali, të cilat për shkak të ngjyrës së bardhë krijojnë efektin sikur është e mbuluar me flokë bore. Bredhi i kuq, 28 metra i lartë pas festave do të përdoret për të bërë lodra për fëmijët, që do të dërgohen në Karitas.
/RTSH/