Vazhdon bllokada, dështon edhe tentativa e 49-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Ka dështuar përpjekja e 49 për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish sot nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati.
Nga 90 deputetë të pranishëm në sallë, pro votuan 50 deputetë, nuk pati asnjë votë kundër e asnjë abstenim.
Dehari ndërpreu punimet dhe njoftoi se seanca e 50-të do të mbahet të hënën më 21 korrik.
Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, para nisjes së seancës, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka arritur një marrëveshje në parim me Listën Serbe dhe Nismën Socialdemokrate.
Ai theksoi se nuk do të ketë votë për kreun e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Para nisjes së seancës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Nait Hasani, ka thënë se kryetarët e partive parlamentare, pa përjashtim, më shumë po kalkulojnë për interesa të ngushta sesa për interes të shtetit.
“Secili kryetar, pa përjashtim, po kalkulon në interesa të ngushta dhe asnjë në interes të shtetit. Shteti i Kosovës ka nevojë për qeverisje, sidomos ka interes për Gjykatën Speciale pas rrëzimit të mocionit atje dhe t’i dalim në mbështetje të tyre”, ka derklaruar Hasanii.
Kuvendi ka dështuar që nga 15 prilli në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.
Procesi i konstituimit ka mbetur i bllokuar pasi Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por kjo kandidaturë nuk ka gjetur përkrahje nga partitë e tjera parlamentare.
/rtsh.al/