E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdon dueli Milan-Juve për sulmuesin Tevez

Dueli mes Milan dhe Juventus për sulmuesin Tevez sa vjen e bëhet më interesant. Galiani dhe Marota janë vënë në një rivalitet të madh mes tyre, për të arritur objektivin madhor të këtij sezoni, gjetjen e një sulmuesi. Për të dy drejtuesit, arritja e një marrëveshje me argjentinasin do të ishte një triumf në këtë merkato sa të vështirë aq edhe të kushtueshme.

Sipas Sport Mediaset, kjo javë pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e sumuesit të Sitit, i cili është në dilemë mes Badhezinjëve dhe Kuqezinjëve. Në orët e fundit, Milan duket më i favorizuar për të marrë shërbimet e yllit argjentinas, por si gjithmonë Marota e ka të vështirë të dorëzohet para kohe. Ndaj duhet pritur deri në minutën e fundit për të mësuar se kush do të jetë triumfuesi në duelin e nisur mes dy administratorve Marota dhe Galiani.

Nga njëra anë kuqezinjtë për të siguruar kartonin e Tevez duhet të sakrifikojnë ndonjë lojtar dhe kryesori duket se është braziliani Robinjo. Ndërsa nga ana tjetër edhe Juventusit i duhet të bëjë të njëjtën gjë. Sipas Sport Mediaset,  bëhet e ditur se tashmë bardhezinjtë i kanë vënë çmimin e shitjes mesfushorit Markizio. Kartoni i tij do të kushtojë 35 milion euro, një shumë kjo që mund të përdoret fare mirë jo vetëm për Tevez por edhe për dy sulmuesit e adhuruar të Kontes, Jovetiç dhe Higuain. Që të dy kushtojnë nga 30 milion euro dhe Markizio duket se do të jetë lojtari që do të bëhet kurban në radhët e bardhezinjëve. Përveç tij, drejt largimit nga Juventusi është edhe Mirko Vuçiniç. Kjo javë pritet të jetë vendimtare jo vetëm për çështjen Teves por edhe për merkaton e dy skuadrave të mëdha Italiane, Juventus dhe Milan.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›