Vdekja e shqiptarit në aksident, Begaj në kontakt me ambasadorin në Kroaci

Presidenti, Bajram Begaj, ka reagur lidhur me aksidentin që la të vdekur shqiptarin, 41-vjeçar në autostradën ndërmjet Brinje dhe kryqëzimit Ogulin në drejtim të Zagrebit. Në një reagim nga zyra e Presidencës, Begaj i shpreh ngushëllimet familjarëve, ndërsa bën me dije se po ndjek situatën në mënyrë të vazhdueshme duke komunikuar me ambasadorin shqiptar në Kroaci.
Një autobus me targa shqiptare është aksidentuar në autostradën ndërmjet Brinje dhe kryqëzimit Ogulin në drejtim të Zagrebit, ku si pasojë ka humbur jetën një shqiptar, pasagjer në mjet ndërsa janë plagosur 9 të tjerë.
“Presidenti i Republikës Sh. T. Z. Bajram Begaj po ndjek me shqetësim aksidentin tragjik që ndodhi sot në Kroaci ku humbi jetën një shqiptar dhe u lënduan disa të tjerë. Presidenti Begaj i shpreh ngushëllimet familjarëve për humbjen e njeriut të tyre të dashur. Gjithashtu ai i siguron të gjithë familjarët e të lënduarve se po e ndjek situatën në vijimësi duke komunikuar me Ambasadorin shqiptar në Kroaci, si dhe me autoritetet kroate.
Presidenti i garanton familjarët e të gjithë pasagjerëve te lënduar se shteti shqiptar është pranë tyre“, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.
/rtsh.al/