Vdekja e ushtarëve amerikanë në Lituani, Rama: Si gjithmonë, Shqipëria qëndron pranë Shteteve të Bashkuara

TIRANË, 31 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama shprehu sot ngushëllimet për humbjen tragjike të jetës së ushtarëve amerikanë në Lituani gjatë një stërvitje ushtarake.
Rama u shpreh në një reagim në platformën X se, humbja e ushtarëve amerikanë është një kujtesë e dhimbshme e rreziqeve që mbartin ata që shërbejnë.
“Lajme tragjike nga Lituania. Humbja e ushtarëve amerikanë gjatë stërvitjeve të fundit ushtarake është një kujtesë e dhimbshme e rreziqeve që përballen ata që shërbejnë. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e tyre. Si gjithmonë, Shqipëria qëndron pranë Shteteve të Bashkuara dhe Komandantit të saj të Përgjithshëm”, u shpreh Rama.
Tre prej katër ushtarëve amerikanë që ishin zhdukur në Lituani prej javës së kaluar, janë gjetur të vdekur të hënën, ka thënë ushtria amerikane, pasi ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin automjetin e blinduar prej një moçali.
Autoritetet e Lituanisë kanë pranuar informacione të martën e javës së kaluar se ushtarët janë zhdukur gjatë stërvitjeve ushtarake në një qendër trajnimi në qytetin lindor Pabrade, afër kufirit me Bjellorusinë. /j.p/