Vdes babai i Hashim Thaçit

PRISHTINË, 17 mars /ATSH/ Ka ndërruar jetë Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.
Ai ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ditëve të fundit ai u vizitua nga Hashim Thaçi, i cili u lejua nga Haga për një gjë të tillë. Pas vizitës rreth tre orësh, ai u rikthye sërish në Hagë. Haxhi Thaçi ndërroi jetë mbrëmjen e të dielës.
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi dhe Nasim Haradinaj nga OVL UÇK kanë ngushëlluar familjen Thaçi me rastin e vdekjes së Haxhi Thaçit. Babai i ish-presidentit Hashim Thaçi ka ndërruar jetë sonte në Qendrën Klinike Universitare ku ishte shtruar tash e sa ditë pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të presidentit Hashim Thaçi. Sot, pas një beteje të gjatë me sëmundjen, nuk u shua vetëm një njeri, por një baba që i dha Kosovës një çlirimtar, një burrë që me përkushtimin dhe edukatën e tij ndihmoi në lindjen e një epoke të re për kombin tonë”, thuhet në ngushëllimin e kreut të PDK-së.
Ai ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta presidentit Thaçi, familjes Thaçi dhe mbarë kombit shqiptar.
“Haxhi Thaçi ishte më shumë se një prind – ai ishte një shtyllë e fortë e vlerave atdhetare, një njeri i urtë dhe fisnik, i cili la pas një trashëgimi të pavdekshme në historinë tonë. U prehtë në paqe!”, ka shkruar Memli Krasniqi në Facebook.
/Kosovapress/