E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes elektricisti në shtyllë, familja i kërkon CEZ-it 60 milion Lekë

Tiranë- Familja e një 50-vjeçari, i cili humbi jetën nga rënia në kontakt me energjinë elektrike plot dy vjet më parë, ka paditur kompaninë CEZ duke i kërkuar dëmshpërblim prej 6 milionë lekë të reja së bashku me interesat.

Katër familjarët e të ndjerit Lec Leka, i thonë gjykatës civile të kryeqytetit se shkak i ngritjes së kësaj padie në Tiranë është fakti që CEZ-i i ka zyrat qëndrore në kryeqytet e për këtë procesi duhet të zhvillohet nga gjykata në fjalë.

Familja është nga rrethi i Shkodrës dhe vdekja aksidentale e Lec Lekës ka ndodhur në krye të detyrës, pasi viktima punonte si elektricist. Bëhet fjalë, sipas familjes, për ngjarjen e fundvitit të 2009,  ku kryefamiljari Lec Leka ka qenë duke bërë disa riparime në sistemin elektrik në fshatin Mali-Kolaj, komuna Velipojë, në momentin që 50-vjeçari ka gjetur vdekjen.

Viktima ka hipur në një shtyllë të tensionit të lartë për të riparuar difektin ku dhe e ka zënë korenti. Kompania CEZ sh.a duhet tu paguajë, sipas padisë, dëmin e shkaktuar nga humbja tragjike e familjarit, shpenzimet e nevojshme dhe te arsyeshme se bashku me interesat e lindura dhe indekimin.

Seanca e parë gjyqësore u shty për shkak të palës së paditur, ndërkohë që procesi i radhës do të zhvillohet në fund të dhjetorit nga gjyqtarja civiliste Rezarta Vigani.

Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook 

Ndani me ne komentet tuaja:

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›