Vdes në moshën 64-vjeçare Shemsi Krasniqi i grupit “Ilirët”- U gjet pa shenja jete në një banesë në Prishtinë

Këngëtari i njohur Shemsi Krasniqi i grupit “Ilirët” është gjetur pa shenja jete ditën e djeshme. Ndarja nga jeta në moshën 64-vjeçare e këngëtarit është konfirmuar nga policia e Kosovës.
Sipas policisë së Kosovës, Krasniqi, i njohur edhe me nofkën artistike ‘Shemi’ i grupit “Ilirët” është gjetur pa shenja jete në një banesë në rrugën “UÇK” në Prishtinë.
“Sot rreth orës 15:00 kemi pranuar informatën për një person pa shenja jete në një banesë në rrugën UÇK në Prishtinë. Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku vdekjen e viktimës (mashkull) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Në koordinim me prokurorin e shtetit po ndërmerren veprimet e nevojshme policore”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Krasniqi ka qenë i njohur për interpretimin e këngës “Xhamadani vija-vija” dhe i dhjetëra këngëve të tjera të muzikës patriotike e të muzikës së lehtë.
Ai u ka dhënë zë këngëve tjera patriotike si “Mora fjalë”, “Adem Jashari”, “Besa-besë” e “Kosova ime”.
Shemsi Krasniqi u bë i njohur dhe ushtroi një ndikim të madh në skenën e muzikës shqiptare, veçanërisht përgjatë viteve ’90, duke u shndërruar një nga këngëtarët e preferuar të adhuruesve të muzikës tradicionale dhe rock-folk.
/rtsh.al/