E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes nga rryma peshkatari, gjuante në lum me gjenerator

Peshkimi me gjenerator është bërë dukuri e shpeshtë në lumenjtë e Kosovës.

Bistrica, e cila njihet si vend atraktiv për peshkatarët, dje ka qenë fatale për një të ri peshkatar.

Berat Brahim Hoti, 23 vjeçar nga fshati Kliqinë i Komunës së Pejës kishte shkuar dje për të peshkuar në Bistric, në fshatin Poterq të Komunës së Klinës, por nuk është kthyer i gjallë për në shtëpi.

Ai ka humbur jetën në mënyrë tragjike, teksa po zinte peshk, jo me grep, por me energji elektrike.

Fillimisht, ai e kishte ndezur gjeneratorin, dhe kishte përgatitur terrenin për peshkim, pak më larg se peshkatarët që po gjuanin me grep. Më të futur telat në uji, ai ka mbetur në vend, si pasojë e përçimit të energjisë elektrike nuk ka mundur të dalë nga aty.

Disa peshkatar që ndodheshin pak më tutje e kanë lajmëruar menjëherë Policinë e Kosovës. Në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur një gjenerator dhe disa kabllo të rrymës të vendosura në lum, ndërsa trupin e pajetë u’a kanë marrë familjarëve. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›