E Enjte, 5 Nëntor 2026

Veliaj dhe Manastirliu, takim me socialistët e njësisë 6

TIRANË, 30 shtator/ATSH/ ️Drejtuesit politikë të Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilluan një takim me anëtarët socialistë të njësisë 6, për të dhënë porositë e para.

Veliaj tha se mezi pret që në Kombinat të thyhet rekordi prej 60% të votave për PS, i cili u arrit në zgjedhjet e fundit. Ai nënvizoi faktin se teksa kundërshtarët politikë humbasin kohë duke u ankuar për betejat e humbura, Partia Socialiste fiton kohë për t’u përgatitur për betejat e ardhshme.

Këto zgjedhje, Veliaj i cilësoi si “Lojëra Olimpike në Politikë”, ku për sa kohë Partia Socialiste e Shqipërisë ka besimin e njerëzve dhe punon çdo ditë për të çuar vendin përpara, drejt vizionit për Shqipërinë e 2030-ës, do të jetë sërish fitimtare.

Nga ana e saj, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se Partia Socialiste do të mbështetet vetëm te punët e mira që ka bërë.

“Fitorja e Partisë Socialiste do të mbështetet te punët e mira që kemi bërë, por është shumë e rëndësishme çfarë do të bëjmë nga tani e tutje për të garantuar fitoren, për të garantuar mandatin e katërt të Partisë Socialiste. Arritëm që të çonim pagën mesatare në administratën publike në 900 euro, paga mesatare sot për mësuesit është 950 euro, rritëm pagat për mjekët, për infermierët. Ndaj ne duhet ta fitojmë mandatin e katërt për të vazhduar rritjen e pagave dhe mbi të gjitha për të mbështetur pensionistët, për të cilët një grup pune është ngritur dhe po punon për të vlerësuar dhe më pas për të bërë realitet mbështetjen për pensionistët, për të moshuarit, që në fakt janë dhe forca dhe mbështetja më e madhe e të gjithëve ne”, u shpreh Manastirliu.

Ndërkaq, Veliaj nënvizoi se ambicia për mandatin tjetër të PS-së është rritja më e madhe e pensioneve dhe rrogave të shqiptarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›