E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj jep lajmin për 1500 familje në Tiranë: Kredi të buta për shtëpi të reja, lista për miratim më 29 tetor

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka njoftuar se 1500 familje janë shpallur fituese nga programi i kredisë së butë për blerjen e një banese të re.

Përmes një mesazhi nga qelia, Veliaj bëri të ditur se i ka propozuar Këshillit Bashkiak të Tiranës që, në mbledhjen e 29 tetorit, të miratojë listën e plotë të familjeve përfituese.

Ai u shpreh se, pavarësisht vështirësive që pretendon se po has në ushtrimin e detyrës, i vjen mirë që po bëhet realitet ëndrra e këtyre familjeve për të pasur një shtëpi të tyren.

“Pavarësisht përndjekjes, izolimit dhe refuzimit të çdo takimi pune me stafin e bashkisë, çka ma vështirëson së tepërmi detyrën për t’i shërbyer si duhet qytetarëve që më kanë votuar, më vjen mirë që këtë javë bëjmë realitet ëndrrën e 1500 familjeve, të cilat janë shpallur fituese nga programi i kredisë së butë!

I kam propozuar Këshillit Bashkiak të Tiranës që, në mbledhjen e 29 tetorit, ta miratojë të plotë listën, që këto familje të përballojnë blerjen e një shtëpie të re.

E marr me mend gëzimin e tyre, ndaj edhe i uroj nga zemra”, shkruan Veliaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›