E Enjte, 5 Nëntor 2026

Veliaj me socialistët e Laprakës: I shohim njerëzit në sy për premtimet e mbajtura

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ “Fakti që rritemi çdo vit në Laprakë, i dedikohet punës së palodhur”.

Kështu deklaroi Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj në takimin me strukturat e kësaj force në Njësinë 11.

Veliaj tha se PS ka kurajon që t’i shohë njerëzit në sy, pasi është e vetmja forcë që mban fjalën e dhënë.

“Në Gjykatën e Tiranës janë regjistruar 100 e ca parti. Por, fakti se shumica e ndershme, punëtore, e drejtë, e palodhur e popullit, ka votuar PS, do të thotë se në një menu me 100 oferta, ka zgjedhur ofertën që i ngjan familjes së tij, punës së tij, djersës së tij, forcës dhe mundimit të tij. Ka ndryshuar rezultati ynë në Laprakë, në Njësinë 11. Ne kemi qenë 30%, pastaj 35%, pastaj 40%, pastaj 45%, mandej 50%. Sot jemi më të fortë se të gjithë të tjerët bashkë, se e mbajmë fjalën, i shohim njerëzit në sy. Kur kemi bërë ndonjë gabim, themi më fal. Kur kemi bërë punë, përveshim mëngët për të bërë akoma më shumë punë. Kjo është politika! Të kesh mundësi të shohësh njerëzit në sy dhe të mbash fjalën, të kthehesh me krenari, në çdo shesh. Fakti që në Laprakë rritemi çdo vit i dedikohet punës së palodhur të atyre që për 33 vite e kanë mbajtur partinë me thonj, me mish e shpirt. Ja ku jemi sot fitimtarë”, u shpreh ai.

Teksa falënderoi socialistët që ndër vite kanë kontribuar në zhvillimin e vendit, Veliaj solli në vëmendje kohët e vështira, kur qytetarët dhunoheshin nga SHIK-u i Berishës.

“Kemi bërë 5 shkolla, duhet të bëjmë të tjera; kemi bërë 50 rrugë, duhet të bëjmë të tjera. Por, ku do të ishim sot po të ishte dorëzuar ajo gjeneratë që e mbajti PS në ‘94-ën? Ku do ishim sot ishim sot nëse do të ishte dorëzuar gjenerata që e mbajti partinë në ‘96-ën në zgjedhjet locale? Po në ‘97-’98, me ato situata skandaloze, që për të bërë karrierë në Republikën e Shqipërisë duhet të rrëmbeje një socialist, siç u rrëmbye Remzi Hoxha? Të bëje karrierë duhet të rrihje një socialist, siç u rrah Edi Rama, Blendi Gonxhe, Servet Pëllumbi, Petro Koçi. Të bëje karrierë në shtet duhet të dhunoje dhe të derdhje gjak socialistësh, siç ndodhi në 21 Janar. Sot jemi këtu jo vetëm për të shkuar përpara, por për ta kthyer një minutë kokën pas, për të falënderuar ata që e mbajtën këtë parti në ditët tona më të vështira”, u shpreh Veliaj.

Ai solli në vëmendje se fitorja e Edi Ramës dhe PS në zgjedhjet e ardhshme ka një rëndësi të veçantë.

“Ne nuk e kemi qejf, ose pasion, ose dëshirë. Ne e kemi mision historik, që në 2025-ën, Partia Socialiste të fitojë sërish, e të qeverisë vendin, e të transformojë këtë realitet si kurrë më parë. As nuk në kishte bërë vaki, që unë të kisha ankesa në Laprakë, se janë mbushur hotelet. S’më kishte ndodhur ndonjëherë në jetën time. Thashë: Të tilla halle paçim, se deri dje bëheshin plehrat mullar, deri dje vinte lumi tek shtëpia! Kishim probleme të botës së tretë, tani kemi probleme të botës së parë. Tani kemi probleme që, siç u bë ‘Isa Boletini’, ‘John Kennedy’, ‘Nënë Tereza’, ‘Vaçe Zela’, ‘Kristo Frashëri’, ‘Andrea Stefani’, të bëjmë edhe 6 shkolla të tjera. Sot janë ditët më të mira për Tiranën dhe Shqipërinë. Ne që jemi socialistë themi se ditët më të mira i kemi përpara. Ky vend, ky shtet, ky qytet, kjo lagje, më mirë se kaq s’ka qenë, por më mirë do behet falë PS. Çdo votë është përkthyer në punë, punë, punë”, deklaroi Veliaj.

Veliaj: Alternativa e opozitës në 2024-ën, djegia e gomave dhe molotovët

Gjatë takimit Veliaj u shprehu mirënjohjen dhe falenderimet socialistëve të kësaj njësie për kontributin ndër vite në parti, por edhe në të gjitha betejat elektorale.

Ai komentoi edhe protestat e opozitës para bashkisë, duke nënvizuar se e vetmja alternativë që ofron PD-ja në 2024 është djegia e gomave dhe sulmet me molotovë.

“Më bëhet zemra mal sa herë kthehem në Laprakë. Këtu jetojnë njerëz që kanë ardhur nga veriu, nga jugu, nga zonat më të vështira të Shqipërisë dhe ia kanë nisur nga zero. Ishte Lapraka, Njësia 11, dera e parë ku kanë trokitur, zemra e madhe që i ka mikpritur të gjithë, duke u dhënë një shans. Jam vërtet krenar sot teksa shoh që partia jonë është rritur, është bërë shumë e madhe. Dikur takoheshim te kinemaja “Maks Velo”, tani nuk na nxë as kinemaja jonë, që deri dje ishte zaptuar. Sot shoh fëmijët që shkojnë te shkolla “Andrea Stefani”, te “Vaçe Zela”, te “Kristo Frashëri”, shkolla që i kemi bërë të reja sepse partia nuk është sport. Ti mund të jesh tifoz me një skuadër, një herë fiton, një herë humbet. Por, partia është instrument për të bërë punë, për t’u siguruar që Lumi i Tiranës nuk e përmbyt më Laprakën dhe Njësinë 11. Partia dhe vota bën që kinemaja të mos jetë e zaptuar, por të transformohet si kinema “Agimi”, në një qendër aktiviteti për të rinjtë”, tha Veliaj.

Ai shtoi se opozita sot di vetëm të djegë goma.

“Më pyesin njerëzit pse nuk u përgjigjesh atyre. Po kujt t’i përgjigjem? Aq goma sa djegin ata, ne kemi ndërtuar shkolla të reja. E kisha atë kandidatin në zgjedhje dhe u rrah me 60 mijë vota. E shoh në çdo protestë, ka më shumë flokë. Aq sa mbjell ai flokë në kokë, ne kemi bërë shkolla në Tiranë. Është diferencë shumë e madhe. Sot, të jesh në opozitë është super sport. Ti mund të shkosh të djegësh goma te Parlamenti, te Kryeministria, te Bashkia. Ky vetëm lyen flokët. Thashë me vete ku i del koha këtij, se s’ka bërë asnjë shkollë, vetëm lyen flokët! Kjo është të qeshësh e të qash. Viti 2024, varianti i opozitës është digj goma, mbill flokë. Ky është varianti i tyre. Unë e kam për krenari të takohem me ju në një oborr kopshti, se sot kemi bërë 101 kopshte, 42 shkolla, 84 kënde lojrash, që janë vepra për komunitetin, jo për kokën”, tha ai.

Veliaj deklaroi se vitet e fundit janë bërë 101 kopshte dhe 42 shkolla të reja, ndërsa në kohën që bashkia drejtohej nga PD, nuk u ndërtua asnjë shkollë.

“Partia Socialiste është e vetmja forcë që ka bërë qytet dhe shtet. E mori Tiranën me kioska dhe e ka kthyer sot në vendin më turistik në të gjithë Evropën. Ne kemi qenë Koreja e Veriut. Sot vijnë 150 avionë në ditë, që ulen në aeroportin e Tiranës. Kjo është diferenca! Por këto nuk i bën Zana e Malit. I bën një forcë politike! Një votë për Partinë Socialiste bën qytet dhe shtet, kthen sigurinë, pastërti, liron hapësirat publike, transformon çerdhe e kopshte. Kam 10 vjet në Bashkinë e Tiranës dhe ende kam një pyetje: Më thoni një shkollë që kanë bërë ata [opozita]? Sot kemi kundërshtarë që s’kanë bërë asnjë shkollë, asnjë çerdhe, se nuk dinë ta thonë një emër shkollë. Ka 10 vjet që i pyes përditë. Na tregoni një! Ne kemi ndërtuar 5 shkolla vetëm në Njësinë 11, dhe prapë nuk mjafton, prapë duhet të bëjmë më shumë”, u shpreh ai.

Drejtuesi politik i PS-së për qarkun shprehu bindjen se edhe pas zgjedhjeve të 2025, PS do të vijojë të çojë përpara Tiranën dhe Shqipërinë.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›