E Hënë, 2 Nëntor 2026

Veliaj pret homologët gjermanë, bashkëpunim mes qyteteve për zbatimin e projekteve sociale

Erion Veliaj priti në një takim homologët e tij gjermanë, kryebashkiakët e Ulm dhe Neu-Ulm, Martin Ansbacher dhe Katrin Albsteiger.

Veliaj tha se Tirana ka marrë eksperiencën e tyre për të sjellë në jetë projekte si ushqimi falas në shkollat 9-vjeçare apo ndërtimin e qendrës për fëmijët me spektrin e autizmit.

“Jam shumë i entuziazmuar që në disa projekte, siç mund të jetë ushqimi nëpër shkolla ose qendra e autizmit, ne mund të mësojmë nga qytetet tuaja. Mezi pres që ato që diskutuam këtë javë në Tiranë t’i kthejmë në projekte të realizueshme. Ne duam që ushqimin nëpër shkolla ta fillojmë që këtë vit për shkollat tona fillore dhe duam gjithashtu që qendrën e autizmit, fillimisht të konceptojmë ndërtesën, pastaj të shikojmë modelet ideale nga Gjermania, që sot është vendi me standardin më të lartë në trajtimin e çështjeve të shëndetit mendor”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Ulm-it theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes qyteteve në fusha të ndryshme.

“Pakti i Qyteteve të Lira është një pakt shumë i rëndësishëm vlerash, që ne të gjithë ndajmë. Qytetet e lira evropiane demokratike janë dritat dhe heronjtë e kësaj kohe të vështirë. Jemi mirënjohës që jemi këtu, folëm për ftesën në Festivalin e Danubit, do të ishim të nderuar nëse do të na vizitonit, për të folur mbi bashkimin e rajonit të Danubit, për të bashkuar njerëzit. Ky është fokusi ku synojmë të përqendrohemi dhe të flasim mbi tema të tilla si shëndeti mendor, çështjen e autizmit dhe çfarë mund të bëjmë së bashku, për t’i bërë qytetet me një qasje më pranë të rinjve dhe për të ndërtuar qytete sipas këndvështrimit të fëmijëve”, tha Martin Ansbacher, kryetari i Bashkisë së Ulm.

Kryebashkiakët e Ulm dhe Neu-Ulm ishin për herë të parë në Tiranë dhe shprehën dëshirën e tyre për të thelluar bashkëpunimet mes qyteteve./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›